SBASHK i ndarë në dysh, kërkon (mos) dekretimin e Ligjit për Paga

Aktuale February 19, 2019 - 18:31
Lexo tjera detaje

Mbi 4 mijë mësimdhënës të ciklit të ulët, nga klasa e parë deri në të pestën kanë mbledhur nënshkrimet e tyre për të shprehur pakënaqësitë lidhur me koeficientin e pagave, shkruan Gazeta Blic.

Ky koeficient i cili u pamundëson atyre paga të njëjta me klasat prej 6 deri 9, ka bërë që këta mësimdhënës edhe të kërkojnë nga presidenti i vendit, Hashim thaçi që të mos e dekretojë Ligjin për pagat.

E për udhëheqësin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i cili përfaqëson edhe klasët e nivelit të ulët, këto nënshkrime po shihen si e drejtë e tyre për të shprehur pakënaqësitë më këtë ligj.

Tha se ata mund ta bëjnë një gjë të tillë, por jo edhe në mënyrë zyrtare nga ana e SBASHK-ut.

“Si SBASHK ne nuk kemi kërkuar dhe nuk do të kërkojmë që presidenti të mos e dekretojë Ligjin për Pagat. është punë e presidentit se çfarë do të bëj. Të pakënaqurit janë organizuar në mënyrë të tillë edhe pse ata e njohin SBASHK-un si sindikatë të tyre dhe është e drejtë e tyre të shpallin pakënaqësitë. Po them ata mund ta bëjnë këtë por jo në mënyrë zyrtare nga SBASHK” tha Jasharaj.

Ai për Gazetën Blic tha se kanë pasur takime edhe me udhëheqësit e mësimdhënësve të pakënaqur ku edhe janë shpjeguar në mes vete se problemi nuk qëndron në këtë sindikatë.

“Kemi pasur takim ditëve të kaluara ata shprehen se janë me SBASHK-un edhe pse kanë menduar që SBASHK ka qenë ai që megjithatë ka mundur të ndikojë në rangimin e niveleve mësimore. Këta njerëz e pranojnë SBASHK-un por asnjëri prej tyre nuk ka dalë nga kjo sindikatë”, tha ai.

I pyetur nëse do të kompensohet orët e humbura, Jasharaj tha se duke u mbështetur në Ligjin për Grevat një gjë e tillë nuk do të ndodhë, porse siç u shpreh, nëse merret një vendim nga shumica atëherë edhe do ta përkrahin.

“SBASHke ka thënë vazhdimisht se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura nga fakti se edhe ligji për grevat nuk na obligon por ne e kemi thënë se mbetet tek mësimdhënësit të vendosin nëse ata e shohin të udhës që ti zëvendësojnë ato atëherë ne do t’i mbështesim në çdo vendim”,m përfundoi Jasharaj.

Ndryshe, deri më tani, Ministria e Arsimit ende nuk ka vendosur se kur do të zëvendësohen orët e humbura.

Të gjithë mësimdhënësit e Kosovës kanë mbajtur grevë tri javore, për shkak të pakënaqësive me sistemimin e tyre në kuadër të Ligjit për paga.