Kocijançiq: Po punohet për një marrëveshje të zbatueshme mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale February 19, 2019 - 19:29
Lexo tjera detaje

Zëdhënësja e BE-së Maja Koçijançiq, tha se fokusi i punës së BE-së është për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që do të sillte një zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e hapura midis Beogradit dhe Prishtinës.

E pyetur për deklaratën e ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili tha se “delimitimit është propozim zyrtar i Beogradit në bisedimet me Prishtinën”, Kocijançiq tha për mediat serbe se marrëveshja përfundimtare duhet të jetë “e aplikueshme, e qëndrueshme dhe reale”.

“Rrjedhimisht po punohet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim gjithëpërfshirës që do të sillte një zgjidhje të qëndrueshme për çështje të hapura, të zbatueshme dhe të qëndrueshme, bazuar në pëlqim të dyanshëm, dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të BE-së, dhe të pranueshme për vendet anëtare”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo përsëriti se një marrëveshje gjithëpërfshirëse është “urgjente dhe thelbësore” për përparimin e Serbisë dhe Kosovës në BE dhe stabilitetin e paqen në rajon.