Hoxha: Vendimi për vizat, pas zgjedhjeve në BE

Hoxha: Vendimi për vizat, pas zgjedhjeve në BE

Aktuale March 19, 2019 - 07:45
Lexo Detajet
Image

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka deklaruar për “Zërin” se në takimet që ka zhvilluar në vende të ndryshme të BE-së ka kuptuar se heqja e vizave për Kosovën nuk është prioritet pa përfunduar zgjedhjet për Parlamentin Evropian, shkruan gazeta "Zëri".

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, nuk pret që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën të merret para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen në maj të këtij viti.

LEXO EDHE: Zgjedhjet, në vjeshtë

E para e Integrimeve Evropiane në vend shprehet optimiste se vendimi për liberalizim të merret pas këtyre zgjedhjeve. “Po e ritheksoj se ne i kemi përfunduar detyrat tona dhe tani gjithçka varet nga shtetet anëtare. Në këto rrethana që po zhvillohen në BE nuk është prioritet çështja jonë dhe nuk është reale të pritet të ketë një vendim para zgjedhjeve. Në qershor kam thënë se po kërkojmë të futet në agjendë, nuk kam dhënë as afat, as imperativ ndaj nevojave tona, por vetëm mundësi nëse arrihet konsensusi në vendet anëtare për ta vënë në agjendë dhe të votojnë në Këshill”, ka thënë Hoxha për “Zërin”.

Hoxha ka shtuar se në takimet që ka zhvilluar në vende të ndryshme të BE-së e ka kuptuar që heqja e vizave për Kosovën nuk është prioritet pa përfunduar zgjedhjet për Parlament Evropian. “Deri më tash asnjë nga vendet me të cilat kam zhvilluar takime nuk ka qenë kundër liberalizimit, por megjithatë shumë prej tyre nuk duan të vendosin për këtë çështje para zgjedhjeve parlamentare. Interpretimi se unë përcaktoj afate nuk qëndron. Unë mund të tregoj për rrjedhën e procesit dhe së fundmi kjo është e tëra që kam deklaruar. Ajo çka mund të them është se ne i kemi plotësuar të gjitha 95 kushtet dhe po na bëhet e padrejtë. Kam kërkuar dhe kërkoj vlerësim të njëjtë për kushte të njëjta”, ka theksuar Hoxha.

Vasolli: Heqja e vizave këtë vit, e pamundur

Njohësi i integrimeve Besnik Vasolli vlerëson se zvarritja e procesit të heqjes së vizave për Kosovën ka të bëjë me zhvillimet në BE, por edhe me problemet e Kosovës në sistemin e drejtësisë. “Procesi i liberalizimit është shumë më shumë një proces politik sesa teknik. Debatet në BE rreth Brexitit, zgjedhjeve të majit, por edhe çështjet rajonale siç është dialogu me Serbinë e taksa për produkte nga Serbia e kanë bërë më të vështirë vendimmarrjen, respektivisht e kanë bërë shumë më të vështirë të kemi një pozicion më të qartë se kur mund të presim që liberalizimi i vizave të ndodhë. Askush nuk e di datën e saktë, as në Kosovë e as në BE”, ka thënë Vasolli për “Zërin”.

Duke u bazuar në të gjitha këto Vasolli vlerëson se heqja e vizave gjatë këtij viti për kosovarët është teknikisht, por edhe politikisht e pamundur. Ndërkohë duke folur për aspektet tjera që kanë ndikuar në zvarritjen e këtij procesi, Vasolli theks të veçantë i ka dhënë mosluftimit të mjaftueshëm të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, vonesën në arritjen e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, mosunitetin e partive politike të Kosovës në procesin e dialogut, si dhe të taksës së vënë ndaj produkteve serbe. 

Qytetarët s’u besojnë premtimeve për vizat

Kurse Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik”, ka thënë për “Zërin” se premtimet e vazhdueshme të liderëve kosovarë për heqjen e vizave për tashmë disa vite ka ndikuar që qytetarët e Kosovës të humbin besimin se liberalizimi do të ndodhë së shpejti. “Premtimet për heqjen e vizave nga liderët shtetërorë tashmë janë të pavlera, sepse këtyre tashmë u ka humbur besueshmëria dhe qytetarët më nuk u besojnë fjalës së tyre. Ajo çka liderët do të duhej të bënin është të përmbaheshin dhe të mos rritnin pritshmërinë për qytetarët dhe të mos rrisin në fund prapë zemërimin te ta”, ka thënë Kryeziu.
I tërë procesi i liberalizimit, sipas Kryeziut, varet nga rezultatet konkrete që Kosova është dashur t’i shfaqë në raport me sundimin e ligjit, kërkesë kjo që vazhdimisht është dhënë nga shtetet mike të Kosovës.

“Kjo është një vendimmarrje, e cila u takon vendeve anëtare të BE-së që konkretizohet me vendimmarrje në kuadër të Këshillit dhe dihet se kryefjala e këtij procesi është sundimi i ligjit dhe luftimi i krimit të organizuar e të korrupsionit dhe ne po shohim gjuhën, të cilën sot përdorin diplomatët kryesorë të vendeve të QUINT-it në Kosovë, kryesisht në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, ka theksuar ai./Zeri/