Heqja e vizave për këtë vit, vështirë e mundshme

Heqja e vizave për këtë vit, vështirë e mundshme

Aktuale March 19, 2019 - 10:19
Lexo Detajet

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka deklaruar për “Zërin” se në takimet që ka zhvilluar në vende të ndryshme të BE-së ka kuptuar se heqja e vizave për Kosovën nuk është prioritet pa përfunduar zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Se heqja e vizave gjatë këtij viti është pothuaje e pamundur, mendon edhe njohësi i integrimeve evropiane, Besnik Vasolli.

Vasolli për "Zërin" ka thënë se procesi i heqjes së vizave për Kosovën lidhet me zhvillimet në BE, por edhe me problemet e sistemit të drejtësisë në vend.

LEXO EDHE: Hoxha: Vendimi për vizat, pas zgjedhjeve në BE

“Procesi i liberalizimit është shumë më shumë një proces politik sesa teknik. Debatet në BE rreth Brexitit, zgjedhjeve të majit, por edhe çështjet rajonale siç është dialogu me Serbinë e taksa për produkte nga Serbia e kanë bërë më të vështirë vendimmarrjen, respektivisht e kanë bërë shumë më të vështirë të kemi një pozicion më të qartë se kur mund të presim që liberalizimi i vizave të ndodhë. Askush nuk e di datën e saktë, as në Kosovë e as në BE”, ka thënë Vasolli për “Zërin”, përcjell zeri.info.

Duke i vlerësuar këto, ai ka thënë se heqja e vizave për këtë vit është e pamundur teknikisht dhe politikisht. Sipas tij, këtë çështje e kanë zvarritur edhe mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe korrupsionit, vonesa në arritjen e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, mosunitetin e partive politike të Kosovës në procesin e dialogut, si dhe taksa e vënë ndaj produkteve serbe.