Merovci: Unë i nënshkrova Kadri Veselit lejen për të hyrë në Rambuje

Merovci: Unë i nënshkrova Kadri Veselit lejen për të hyrë në Rambuje

Aktuale March 19, 2019 - 23:05
Lexo tjera detaje

Ish shefi i protokollit dhe truproja i presidentit Ibrahim Rugova, Adnan Merovci, ka treguar disa detaje se si ka funksionuar delegacioni i Kosovës në Konferencën e Rambujesë, 20 vjet më parë.

Merovci, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ai personalisht ka qenë brenda objektit të Rambujesë dhe ka pasur të drejtë lëvizjeje si anëtarët e delegacionit, pa pasur të drejtë të dalë jashtë dhe të komunikojë me gazetarë.

“Pas zgjedhjes së Kryesisë, unë kam qenë sekretar teknik dhe në libër shihet faksimili, që Kadri Veselit i kam nënshkruar fletëhyrjen për në Rambuje. Nuk e kam ditur kush ka qenë”, tha ai.

“… Rregullat kanë qenë të tilla që çdo ditë në Kështjellë kanë mundur të hyjnë nga pesë persona… Ata nuk kanë qenë në Kështjellë, por jashtë. Kanë mundur të hyjnë aty vetëm nëse unë u kam nënshkruar dokumentin. Sigurisht unë nuk e kam vendosur nënshkrimin nga dëshira ime, por Kryesia më ka urdhëruar”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Merovci tregon se Dukagjin Gorani dhe Skender Hyseni kryesisht kanë punuar në përkthim të dokumenteve, e ai ka kryer disa shërbime që kanë të bëjnë me jashtë dhe punë administrative.

“Shembull, është dashur të vijë Enver Hasani nga Ankaraja dhe nuk ka pasur vizë. Unë është dashur t’i bëj referencën e vulosur… Pra punë administrative të një sekretarie”, tregon Merovci.