Rugova: Lutfi Haziri mund të zgjidhet kryetar i LDK-së

Rugova: Lutfi Haziri mund të zgjidhet kryetar i LDK-së

Aktuale March 20, 2019 - 07:59
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, në një intervistë për “Zërin” thotë se homologu i tij nga Gjilani, Lutfi Haziri, mund të jetë kryetar i ri i partisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, thotë se Lutfi Haziri është figurë e rëndësishme politike dhe siç thotë ai, mund të zgjidhet kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend. Kështu ka deklaruar Rugova gjatë një interviste për “Zërin”, duke shtuar se procesi zgjedhor brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tashmë ka filluar dhe planifikohet të përfundojë brenda dy-tre muajve të ardhshëm.

LEXO EDHE: Qeveria për dy muaj shpenzoi 40% të rezervave shtetërore

“Forma e shpalljes së kandidaturës për kryetar nga Lutfi Haziri nuk është zyrtare, por ai e ka shprehur vullnetin që të kandidojë dhe është kandidat i mundshëm e pse të mos jetë edhe kryetar? Ai është një figurë e rëndësishme e LDK-së, është njëri nga nënkryetarët dhe unë e shoh si kandidat potencial dhe shumë të mundshëm për kryetar”, shprehet Rugova.

Megjithatë, kryetari i Komunës së Istogut thotë se edhe Isa Mustafa mund të jetë në mandatin e ardhshëm kryetar i LDK-së. 

Nënkryetari i LDK-së pranon se kanë hyrë në proces zgjedhor partiak, duke mos e planifikuar se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend, mirëpo sipas tij edhe nëse ndodhin partia e tij do t’i fitojë.

Gjatë intervistës për “Zërin” Rugova ka kritikuar punën e qeverisë “Haradinaj”, por edhe idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” me Serbinë, duke e vlerësuar si të rrezikshme dhe tradhti ndaj vendit.

Zgjedhjet në LDK përfundojnë brenda dy-tre muajve

Zëri: Organet e Kryesisë së LDK-së kanë njoftuar që së shpejti pritet të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në partinë tuaj. Sa është LDK-ja e gatshme për një proces të tillë?

Rugova:
Sigurisht që jeni edhe ju të informuar që procesi zgjedhor brenda LDK-së ka filluar tashmë ose është në fillim e sipër. Ne shpresojmë që brenda dy muajve, eventualisht tre do të përfundojë tërë procesi zgjedhor. LDK-ja është e përgatitur, pavarësisht se ka pasur kalkulime të ndryshme brenda partisë nëse duhet të mbahen tani zgjedhjet ose jo, duke i ndërlidhur me zgjedhjet e përgjithshme, por LDK-ja ka vendosur që vërtet të hyjë në procesin zgjedhur sepse është koha, pavarësisht prej situatës aktuale jashtë partisë sonë.

Zëri: Deri më tani vetëm nënkryetari i LDK-së z. Lutfi Haziri ka shpallur kandidaturën për kryetar të partisë. A planifikoni edhe ju ta bëni një gjë të tillë dhe a ka hapësirë për më shumë se një kandidat?

Rugova:
Kjo formë e shpalljes së kandidaturës nga ana e z. Hazirit nuk është diçka zyrtare, sepse aty nuk ka afat ose diçka tjetër. Sigurisht që z. Haziri e ka shprehur vullnetin të kandidojë dhe ai është kandidat i mundshëm e pse të mos jetë edhe Lutfi Haziri kryetar. Ai është një figurë e rëndësishme e LDK-së, është njëri nga nënkryetarët dhe ka qenë në LDK që nga fillimi, unë atë e shoh atë si një kandidat potencial dhe shumë të mundshëm. Mirëpo duhet ta kemi parasysh që ka edhe të tjerë të interesuar që kanë ambicie, kanë vullnet dhe janë të gatshëm të jenë në ballë të LDK-së, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë që në udhëheqje të LDK-së aktualisht e kemi z. Isa Mustafën, pse të mos jetë edhe në mandatin e ardhshëm kryetar?

Zëri: Po ju z. Rugova, a do të jeni kandidat për të parin e partisë?

Rugova:
Kjo është një çështje tjetër. Unë nuk do ta mbaj ndonjë sekret këtu, mirëpo nuk mendoj që është koha për këtë gjë, sepse ende nuk kemi hyrë në zgjedhje. Kandidaturat që po i shoh janë më shumë spekulime, pak dëshira, por edhe ambicie që ju mediet i afirmoni dhe i publikoni. Por shpallja e kandidaturave bëhet në fazën e mëvonshme në procesin zgjedhor, pas konstituimit final të kuvendeve, fillimisht mbahen zgjedhjet brenda nëndegëve dhe degëve dhe aty dalin kandidatët. Për një gjë jam i sigurt, kandidatë do të ketë, kandidatë LDK-ja ka mjaft, kualitet po ashtu, kështu që është mirë që të jetë një garë dhe është mirë kur ke potencial brenda partisë.

Zëri: A ka ndonjë rregull që përcakton deri në sa kandidatë mund të jenë për të parin e LDK-së?

Rugova:
Kemi një rregull në bazë të statutit tonë si parti ku prezantohen kandidaturat dhe në bazë të Kuvendit të ardhshëm të LDK-së shpallen aty, votohen kandidatët e mundshëm, pastaj hyhet në votime. Pra, çdo kandidat për kryetar të LDK-së duhet t’i ketë 50% të votave të Kuvendit, në mënyrë që të hyjë në listën e kandidatëve për votim.

Zëri: E përmendët z. Mustafën, kryetarin aktual të LDK-së, thatë pse të mos vazhdojë ai me një mandat të ri për kryetar. Nëse z. Haziri veç e zyrtarizon kandidaturën, cili është kandidati më i përshtatshëm sipas juve, Mustafa apo Haziri?

Rugova:
Vota është votë. Unë sigurisht që kam respekt për të dy dhe për gjithë kandidatët që unë po i shoh nëpër medie. Nuk është çështje e simpative këtu, por unë e shoh kandidatit e ardhshëm atë i cili është më i nevojshëm dhe mund t’i shtyjë proceset përpara brenda subjektit politik të LDK-së. LDK-ja është parti e parë dhe unë jam shumë i sigurt që ky proces zgjedhor do të jetë demokratik si gjithmonë brenda partisë sonë dhe një garë e ndershme që do të shkojë në favor të procesit zgjedhor dhe të avancimit të LDK-së.

LDK-ja do të dalë partia e parë në zgjedhje

Zëri: Vazhdimisht bëhen sondazhe lidhur me të parin e partisë suaj dhe në këto sondazhe zakonisht shfaqen befasi të mëdha. A do të ketë edhe figura të reja në garë për kryetar të LDK-së?

Rugova:
Shumë flitet për figura të reja. Në LDK nuk ka të rinj ose të vjetër. Ka LDK, anëtarësi të LDK-së, aktivistë të LDK-së dhe ashtu duhet të punohet. Këtu po i përfshij edhe forumin e gruas, forumin e të rinjve, pra të gjithë janë të organizuar në forma të llojllojshme brenda strukturave të partisë dhe të gjithë e kanë të drejtën të jenë aktivë në struktura dhe mund edhe të zgjidhen. Unë e shoh kualitet këtë gjë dhe sigurisht se janë të mirëpritur ata të rinj që kyçen në aktivitet, shihet se është një interesim i shtuar në fazën fillestare dhe kjo është mirë sepse e rrit garën, kualitetin, cilësinë, por edhe konkurrencën e kjo sjell vlera.

Zëri: Ndërkohë LDK-ja ka kërkuar vazhdimisht rrëzim të qeverisë “Haradinaj”. Sa ka mundësi për zgjedhje të jashtëzakonshme në situatën në të cilën ndodhet vendi?

Rugova:
Zgjedhjet varen prej shumë rrethanave. Unë në fillim e thashë se ne kemi hyrë në zgjedhje partiake duke mos menduar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Le të ndodhin kur të ndodhin edhe nëse na zënë në gjysmë të procesit ne do të hyjmë në garë. Sigurisht se do t'i fitojmë zgjedhjet e ardhshme kurdo që ndodhin. Kosova asnjëherë nuk ka pasur më shumë nevojë sesa tash për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse institucionet e vendit e kanë humbur legjitimitetin e vet dhe shteti i Kosovës është në degradim e sipër. Ata që kërkuan dikur të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe e përmbysën një qeveri të z. Mustafës, që unë e konsideroj se ishte qeveri e mirë, në fakt qeveria më e mirë deri më tani, ata hynë në qeveri me idenë e marrjes së vendimeve të mëdha, po shihet se as kjo gjë nuk po ndodh, por po marrin vendime të këqija.

Zëri: Sa ka mundësi për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, meqenëse kjo ide ka dalë pikërisht nga partia juaj. Cilat janë kushtet e LDK-së për përfshirje në këtë Qeveri? A do të bëheshit kështu pjesë e dialogut?

Rugova:
Ne nuk jemi kundër qeverisë gjithëpërfshirëse, por kur thuhet gjithëpërfshirëse duhet të jenë të gjitha subjektet politike të përfshirë në një qeveri dhe paraprakisht duhet të përcaktohet edhe afati i hyrjes në zgjedhje. Unë konsideroj se duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të merren votat e besimi nga qytetarët në mënyrë që qeveria e ardhshme të jetë bartës edhe i procesit të dialogut. Kushtetuta e thotë shumë qartë, dialogun e udhëheq Qeveria. Natyrisht se presidenti e përfaqëson shtetin e Kosovës jashtë, mirëpo dialogu i takon Qeverisë dhe askush nuk ka të drejtë të flasë për territorin dhe për sovranitetin e një shteti. Kjo është më e keqja dhe më e rrezikshmja, lëre më shkëmbimi i territoreve. Këto janë aventura të rrezikshme.

Ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve, tradhti ndaj vendit

Zëri: Ndërkohë tashmë disa muaj ka ngecur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. A e shihni si pengesë të zhvillimit të dialogut në mes të dyja vendeve taksën e vënë nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe?

Rugova:
Nuk besoj se është taksa ajo që e ka bllokuar dialogun. Taksa mund të jetë një lloj alibie, por nuk i ka sjellë taksa efektet e veta politike. Po shihet që kurrfarë dëmi nuk i ka bërë Serbisë. Mirë është që është vendosur, por kjo është bërë pa u analizuar mirë dhe nuk është menduar për pasojat që mund t'i ketë një vendim i tillë i Qeverisë në raport me SHBA-në dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Ne jemi shtet i vogël, shtet në ngritje e sipër dhe nuk mund të marrim lehtë vendime pa marrëveshje të fuqive të mëdha dhe miqve tanë ndërkombëtarë, që na kanë përkrahur dhe na kanë ndihmuar që nga ditët e para.

Zëri: Pra, a po i rrezikon taksa marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare?

Rugova:
Unë nuk besoj se ka mbërritur ende në atë shkallë, por mund të rrezikohet ky raport. Pavarësisht se raportet e tilla i kanë rrënjët më të thella sesa një taksë, mirëpo të gjitha dikur bëhen tepër.

Zëri: Si e vlerësoni mundësinë që gjatë vitit 2019 të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë dhe a ka rrezik që Kosova të humbë territor nga kjo marrëveshje?

Rugova:
Ne jemi pro dialogut, pro marrëveshjeve. Por këto duhet të jenë të bazuara mirë dhe duhet t'i kenë themelet e kornizat e veta të sakta dhe jashtë atyre kornizave nuk ka askush të drejtë të dalë. Pra as presidenti, as ekipet negociuese ose Qeveria nuk mund të diskutojnë për sovranitetin e Kosovës dhe për pavarësinë tonë. Për ndërrim eventual ose për korrigjimit të kufijve mund të bisedojnë vetëm dy shtete që e njohin njëra-tjetrën. Pa ndodhur kjo gjë të flitet për shkëmbim të territoreve dhe të kufijve është e pafalshme, madje unë konsideroj se është edhe tradhti. Mirë është sa më shpejt të arrihet kjo marrëveshje, por kjo nuk duhet të lidhet me kohën, sepse marrëveshjet e këqija mund të vijnë brenda muaji, por për një marrëveshje të mirë duhet të pritet. Nuk guxojmë të qesim diçka në Pazar, e cila nuk është për shitje.