Cilat janë gjasat që Haziri ta marrë 'fronin' në LDK, sipas analistëve

Cilat janë gjasat që Haziri ta marrë 'fronin' në LDK, sipas analistëve

Aktuale March 20, 2019 - 19:25
Lexo Detajet

Lutfi Haziri është i vetmi që deri tani ka bërë publike kandidaturën e tij për të qenë në krye të LDK’së edhe pse jo zyrtarisht. Por, a mundet një politikan si Haziri që dëshiron të korrigjojë kufijtë e Kosovës të ngjitet në krye të partisë si përkrahës idesë së Presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve kur dihet se LDK e kundërshton fuqishëm këtë opsion. Analistët Haki Abazi e Imer Mushkolaj komentojnë për Express rreth ambicieve të Hazirit për ta drejtuar LDK’në.

Për analistin politik, Haki Abazi, Haziri është e vetmja prej figurave të partisë së Isa Mustafës që nuk e fsheh afërsinë e tij me PDK’në e as me presidentin Thaçi sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve.

Ai kujton edhe faktin se kreu i Gjilanit gjithmonë ka qenë i hapur për koalicione me PDK-në

“Haziri gjithashtu ka treguar afërsi me Thaçin për ndryshimin e kufijve që mund të kuptojë se ka një numër votuesish nga Lugina apo çfarë nuk kuptojë është se ky qëndrim është i kundërt me atë të partisë, dmth LDK’së. Ajo që unë dhe Haziri dallojmë në fundament është marrëdhënia e LDK’së me spektrin politik, përkatësisht kundrejt PDK’së dhe LVV-së. Haziri nuk ka hezituar që të dalë haptas kundër VV’së, përderisa ka lënë gjithmonë të hapur derën për bashkëpunim dhe koalicione me LDK’në, njëjtë sikur që kishte bërë dikur kur LDK hyri në koalicion me PDK’, nga i cili doli i tradhtuar, meqë Thaçi dhe Veseli pasi realizuan qëllimin e tyre, e hodhën LDK’në si një leckë” ka thënë Abazi.

Megjithatë ndryshe nga Abazi, njohësi tjetër i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj, thotë se qëndrimi i Hazirit për idenë e korrigjimit të kufijve është personal, dhe se në rast se zgjidhet kryetar, në LDK për çështje të tilla të rëndësisë nacionale marrin vendim strukturat e partisë dhe jo kryetari.

“ Është vështirë nëse do të jetë e gabuar apo e drejtë, sepse Haziri e ka bërë të ditur që ai qëndrim i tij personal, dhe nuk është edhe i partisë. Por them se LDK’ja është parti e madhe, dhe kur vie puna tek vendimet e rëndësishme, siç është kjo për korrigjim të kufijve, ka me e pas atë kujdesin e duhur për me iu qas”, ka thënë Mushkolaj.

Megjithatë për Mushkolajn krejt varet se sa do të jetë ia aftë Haziri të imponojë qëndrimet e veta brenda LDK’së, kur dihet që vendimet e mëdha i marrin forumet e LDK’së.

“E dijm që LDK’ja ka forume partiake, dhe për vendime të tilla, marrin vendime forumet. Por varet se sa i fortë do të jetë Haziri në krye të partisë, dhe sa do të jetë i aftë të imponojë autoritetin e tij. Ne e kemi parë z. Mustafa, që e ka imponuar autoritetin e tij brenda partisë në situata të caktuara. Varet se çfarë grupi përkrahës do të ketë Haziri brenda partisë, për të quar përpara idetë e tij, por prap po them që për ide të rëndësishme në LDK vendosin forumet dhe jo kreu i partisë”,

Ndërsa idenë e kreut të Gjilanit për të nxjerrë kryetarin e LDK’së përmes një marrëveshje politike, njëri e cilëson se është kundër statutit të LDK’së, ndërsa Mushkolaj thotë se nuk i beson një ideje të tillë.

“Kandidimi i Haziri është pothuajse një hap i pritur dhe i parashikuar. Nuk do të ishte aspak çështje sikur Haziri të mos kërkonte marrëveshje për udhëheqësin e LDK’së, dhe konsideroj se përkufizimi i kërkesës për marrëveshje përbën një mënyrë implicite një tendencë për të anashkaluar formën demokratike dhe respektimin e statutit të partisë”, ka potencuar Abazi.

Mushkolaj edhe pse nuk i beson, thotë se një ide e tillë mund të jetë për të parandaluar përçarjet e mundshme brenda LDK’së

“ Ideja për marrëveshje është për me e i parandalua përçarjet e mundshme. Për LDK’në është e mirë që të ketë marrëveshje, por nuk është që iu besoj fort këtyre marrëveshje, sepse gjithmonë ekzistojnë njerëz dhe grupe që kanë me provuar marrë partinë, e mos me qenë të kënaqur me një mënyrë të tillë”, ka shtuar Mushkolaj.

Abazi gjithashtu ka kritikuar Hazirin se asnjëherë nuk ka kërkuar përgjegjësi nga PDK-ja dhe SHIK-u për vrasjen e figurave të rëndësishme të kësaj LDK’së.

“Haziri është pjesëtar i kamotshëm i LDK’së por gjithashtu edhe konsiderohet shpesh i afërt me strukturat e PDK’së, në fakt nuk kam dëgjuar z.Haziri asnjëherë duke kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga PDK dhe SHIK-u për krimet e bëra ndaj anëtarëve të LDK-së dhe fytyrave eminente të LDK’së”, është shprehur Abazi,

Për të LDK’së i duhet një kryetar që nuk më herë nuk ka qenë i përfshirë në pazare me PDK-në, dhe që respekton vijat e kuqe të Ibrahim Rugovës, në atë që të mos i jepet Thaçit mundësia të sabotojë shtetësinë e Kosovës”

“Në princip me Hazirin LDK do të vazhdonte rrjedhën e tanishme që është një lëvizje e kërmillit, me shumë gjasë e përcjelljes së rrjedhave dhe të proceseve me kalkulime individuale përderisa, mendoj që LDK i duhet një lider i ri, i pa kompromis, dhe që nuk ka të kaluar në kompromiset e bëra qoftë në biseda në Vjene, apo marrëveshjet me PDK. LDK dhe anëtarësisë sa saj duhet rikthyer besimi se lidershipi i ri, përveç që do të jetë i pa kompromis në shtet ndërtim, do të luftojnë zbardhjen e vrasjeve të njerëzve eminent të LDK’së, dhe do të sjellë drejtësi duke bërë atë që lideri i saj Ibrahim Rugova kishte vijën e kuqe e ajo ka qenë që Thaçit të mos i jepet mundësia që të sabotojë dhe shantazhojë shtetësinë e Kosovës” ka përfunduar ai.

Analisti Imer Mushkolaj parashikon një garë të fortë brenda LDK’së për postin e kryetarit , dhe thotë që kjo zgjedhje është e ndërlidhur edhe me proceset aktuale që po kalon vendi, pasi që LDK’ja është një nga partitë më të mëdha në vend.

“ Gjithmonë gara për kryetar të LDK’së ka qenë e fortë, sidomos pas vdekjes së Rugovës, por edhe përpara nëse flasim për vitet e 90-ta, sepse LDK-ja është një parti kryesore edhe për proceset rëndësishme. Kështu që domosdoshmërish gara brenda LDK’së, lidhet edhe me zhvillimet e fundit, respektivisht zhvillimet që mund të ndodhin në muajt e ardhshëm. Unë pres që zgjedhja e kryetarit të jetë një sfidë e madhe për partinë, duke pasur parasysh që brenda LDK’së ka ide të ndryshme, dhe ka shumë kandidat që dëshirojnë të marrin kreun e partisë, dhe kjo e bën të rëndësishme këtë lëvizje partiake edhe për Kosovën”, ka përfunduar ai.

Për kandidimin e Lutfi Hazirit, ka folur sot edhe kreu i LDK’së, Isa Mustafa. Ai ka thënë se deri tani askush nuk ka bërë kandidatur zyrtare për kryetar të LDK’së, ndërsa e ka hedhur poshtë idenë e një marrëveshje politike për të zgjedhur kreun e LDK’së.

Ai ka përsëritur se për zgjedhjen e kryetarit do të respektohet statuti i LDK’së, ku një kandidat duhet të fitojë 50 +1 për qind të delegatëve të Kuvendit të Përgjithshëm të LDK’së, në mënyrë që të fitojë të drejtën për të hyrë në votim të fshehtë në garën për kryetar, skemë kjo që nxori jashtë loje Vjosa Osmanin në zgjedhjet e fundit.

Ndërsa për idetë e Hazirit për korrigjim të kufijve, Mustafa ka thënë se ato janë ide personale të tij