Ndërrimi i strukturave në LDK e në PDK përcakton fatin e tyre

Ndërrimi i strukturave në LDK e në PDK përcakton fatin e tyre

Aktuale March 21, 2019 - 14:20
Lexo tjera detaje

Dy partitë më të mëdha parlamentare, LDK-ja dhe PDK-ja, kanë nisur procesin e brendshëm zgjedhor, i cili po karakterizohet me pakënaqësi dhe me përçarje nëpër degë partiake.

Procesi zgjedhor në partinë e Kadri Veselit (PDK) është raportuar se ka nisur me pakënaqësi në degën e Gjilanit, të Istogut dhe të Skenderajt, përderisa në LDK kanë filluar polemikat mes kandidatëve potencialë për kryetar të partisë, shkruan Gazeta "Zëri".

Rasim Alija, nga Instituti Demokracia për Zhvillim, duke i komentuar zgjedhjet në PDK dhe në LDK ka thënë se varësisht se si rrjedhin këto zgjedhje do të përcaktohet edhe e ardhmja e këtyre dy partive. Sipas tij, nëse LDK-ja i menaxhon siç duhet këto zgjedhje, atëherë ajo do të rikthehet fuqishëm në skenën politike. “LDK-ja është në pikën ku mënyra e zgjedhjeve të brendshme do të jetë përcaktuese për fatin e kësaj partie dhe nëse ajo arrin ta menaxhojë në mënyrë demokratike procesin e zgjedhjeve dhe si rezultat të ketë një udhëheqës i cili është vullnet i vet strukturave e jo i pazareve ndërmjet klaneve brenda LDK-së do arrijë edhe t’i mbijetojë një përsëritjeje të Kuvendit të karrigeve, por edhe ta bëjë diferencën me subjektet tjera politike, rrjedhimisht të kemi një rikthim të LDK-së me rezultate zgjedhore të viteve 2005 - 2007”, ka thënë Alija për “Zërin”.

Ndërsa duke folur për PDK-në, Alija ka vlerësuar se kjo parti ka mbetur e pareformuar qysh nga koha kur Hashim Thaçi e ka udhëhequr atë, gjë që sipas tij do të shkaktojë përçarje në këtë parti. “PDK-ja po e vuan sindromën e ndërrimit të liderit. Strukturat e PDK-së kanë qenë të pandryshuara që nga koha e Thaçit. Ndërrimi i këtyre strukturave dhe i reformave nga Veseli është i pritshëm të shkaktojë pakënaqësi e rrjedhimisht edhe përçarje. Zgjedhjet në PDK do të vazhdojnë të prodhojnë edhe më tutje pakënaqësi. Kjo është kostoja e ndërrimit të liderit dhe procesi i moskapjes nga trashëgimia e Thaçit”, ka thënë ndër të tjera ai./ZËRI