Zyra e BE-së në Kosovë kërkon hetim të plotë për rrahjen e Sllobodan Petroviqit

Zyra e BE-së në Kosovë kërkon hetim të plotë për rrahjen e Sllobodan Petroviqit

Aktuale March 21, 2019 - 17:29
Lexo Detajet

Dje në qendër të Prishtinës është sulmuar fizikisht deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq, nga dy zyrtarë të Listës Serbe të Goran Rakiqit.

Njëri nga personat që e kishte sharë dhe ofenduar e më pas edhe sulmuar fizikisht Petroviqin, kishte shërbyer si këshilltar i Nenad Rikallos gjatë kohës sa ky i fundit ishte në krye të Ministrisë së Bujqësisë në Qeverinë Haradinaj.

Në konferencën për media, Petroviq kishte treguar se si e gjithë ngjarja kishte ndodhur në një prej restoranteve të Prishtinës.

Lidhur me këtë incident, Express ka kontaktuar edhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, të cilët kërkojnë nga autoritetet e Prishtinës një hetim të përgjithshëm për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.

“Ne jemi në dijeni për incidentin e raportuar, i cili ndodhi dje në Prishtinë. Ne presim nga autoritetet e Kosovës të kryejnë një hetim të plotë, për të gjetur faktet” thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së.

Ndaj kësaj ngjarje kanë reaguar edhe krerët më të lartë të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka dënuar rëndë një ngjarje të tillë dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të sjellin sulmuesit para drejtësisë. Njëjtë kanë reaguar edhe presidenti Thaçi dhe kreu i Kuvendit Kadri Veseli.

Pa reaguar nuk ka qëndruar as Lista Serbe, të cilët pretendojnë se ishte pikërisht Sllobodan Petroviq që kishte filluar i pari sulmin fizik ndaj ish-këshilltari të Nenad Rikallos.

Megjithatë në shpjegimin e Sllobodan Petroviqit të bërë në konferencën për media të mërkurën, thuhet se ky sulm fizik ndaj tij ka ardhur pasi ai në një intervistë në RTK, kishte adresuar kritika të shumta për mënyrën se si kishte qeverisur me ministrinë e Bujqësisë anëtari i ‘Srpskas’, Nenad Rikallo. Ai gjithashtu kishte kujtuar faktin se tashmë me këtë ministri udhëheq anëtarja e partisë së tij, Dijana Zivic.

Këtij incidenti, i kishte paraprirë një komunikatë linçuese e Listës Serbe për Sllobodan Petroviqin, në të cilën ai akuzohej se po punonte kundër interesit të popullit serb.

Në atë komunikatë potencohej fakti se vota e Petroviqit ishte vendimtare për miratimin e Platformës së Dialogut të Prishtinës, gjë të cilën po e kundërshton ashpër Serbia.

Mirëpo edhe përkundër të gjitha këtyre, Petroviq dje ka deklaruar se nuk do të arrijë asnjëri që të ndryshoj bindje te tija politike, të cilat janë në të mirën dhe interesin e popullit serb.