Mushkolaj: Zgjedhjet në LDK mund të sjellin përçarje të reja

Mushkolaj: Zgjedhjet në LDK mund të sjellin përçarje të reja

Aktuale March 21, 2019 - 17:40
Lexoni detajet

Dy partitë më të mëdha parlamentare, LDK-ja dhe PDK-ja, kanë nisur procesin e brendshëm zgjedhor, i cili po karakterizohet me pakënaqësi dhe me përçarje nëpër degë partiake. Procesi zgjedhor në partinë e Kadri Veselit (PDK) është raportuar se ka nisur me pakënaqësi në degën e Gjilanit, të Istogut dhe të Skenderajt, përderisa në LDK kanë filluar polemikat mes kandidatëve potencialë për kryetar të partisë, shkruan "Zëri". 

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj për “Zërin” ka thënë se zgjedhjet e brendshme të partisë opozitare LDK-së mund t’i sjellin përçarje të mëdha brenda kësaj partie, për shkak të interesit të madh për kolltukun e kryetarit.

“Natyrisht se ka përçarje në këtë parti dhe do të ketë edhe më shumë ditëve në vijim. Unë pres që gara në LDK do të jetë e fortë, gjithmonë duke e pasur parasysh se z. Mustafa është në krye të kësaj partie, por edhe sa i përket aspektit shëndetësor ai nuk është në gjendje shumë të mirë që ta drejtojë partinë. Në anën tjetër ka edhe ambicie të njerëzve të cilët kanë kontribuuar qe një kohë të gjatë dhe është logjike se edhe ata do të kandidojnë”, ka thënë ai për "Zërin".

Ndërkohë ai vlerëson se nëse LDK-ja vazhdon me përçarje për udhëheqësin e partisë, siç ka ndodhur në të kaluarën, atëherë kjo gjë do të shkojë në favor të partive të tjera.

“Gjithçka që ndodh brenda LDK-së do të ndikojë për të mirën ose për të keqen e partisë, kështu që një proces zgjedhor jopërçarës dhe korrekt do t’i bënte mirë partisë. Ndërkohë që nëse partia përçahet për shkak të liderit partiak, atëherë kjo do të shkojë në favor të partive tjera”, ka theksuar Mushkolaj. /ZERI