Ushtria amerikane e konfirmon se me aeroplanët e saj solli 110 kosovarët nga Siria
FOTO: Laura Hasani

Ushtria amerikane e konfirmon se me aeroplanët e saj solli 110 kosovarët nga Siria

Aktuale April 22, 2019 - 10:58
Lexoni më shumë detaje

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, Sean Robertson, ka thënë se asetet amerikane janë përdorur për ta mbështetur operacionin e kthimit të 110 kosovarëve nga Siria.

“Asetet e Shteteve të Bashkuara janë përdorur për ta mbështetur operacionin e kthimit të 110 kosovarëve nga Siria. Shtetet e Bashkuara në asnjë moment nuk e kanë marrë përgjegjësinë për të ndaluarit e dyshuar si luftëtarë të huaj terroristë”, tha Robertson, duke refuzuar të japë hollësi të tjera për arsye sigurie, transmeton Express

Më shumë se 300 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri nga viti 2012 dhe 70 burra që luftuan si pjesëtarë e grupeve terroriste janë vrarë.

Autoritetet kosovare njoftuan se në mesin e personave të kthyer janë edhe katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, nëntë prej të cilëve nuk e kanë njërin prind.

Katër luftëtarët u arrestuan menjëherë dhe prokuroi i shtetit njoftoi se ndaj tyre do të ngrihen aktakuza brenda një kohe të shkurtër.

Policia e Kosovës tha se 30 luftëtarë kosovarë, 49 gra dhe tetë fëmijë ende mbesin në zonën e konfliktit. “Nuk do të ndalemi derisa ta kthejmë secilin qytetar të Republikës së Kosovës në vendin e tij dhe çdokush që ka kryer ndonjë krim ose që ka qenë pjesë e këtyre organizatave terroriste do të përballet me drejtësinë”, tha ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri.

Agjencitë lokale dhe ndërkombëtare të sigurisë kishin paralajmëruar më parë për rrezikun që përbën kthimi i luftëtarëve në atdheun e tyre. Në vitin 2015, Kosova e miratoi ligjin që e bëri pjesëmarrjen në konflikte të huaja vepër të dënueshme me burgim maksimal prej 15 vjetësh.

Shtetet e Bashkuara e kanë vlerësuar pozitivisht kthimin e kosovarëve nga Siria dhe kanë bërë thirrje që edhe shtetet tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.