Më 1 maj protestë kundër vdekjeve në vendin e punës

Më 1 maj protestë kundër vdekjeve në vendin e punës

Aktuale April 24, 2019 - 07:54
Lexoni detajet
Image

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) më 1 maj të këtij viti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, do të organizojë protesta kundër vdekjeve në vendin e punës, pagave të ulëta të punëtorëve, si dhe skemave pensionale. Në vitin 2018 23 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, kurse këtë vit numri ka shkuar në tre, shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

V. B., 27-vjeçar nga Mitrovica, është viktima e tretë për këtë vit i cili të hënën humbi jetën në vendin e tij të punës. Ai ishte duke punuar në objektin e ish-hotelit “Adriatik” bashkë me tre punëtorë të tjerë kur një pjesë e këtij objekti u shemb në orët e pasdites së të hënës, shkruan më tutje "Zëri". 

LEXO EDHE: Problemet e Listës Serbe me certifikimin për zgjedhje

Pikërisht ky rast ka bërë që Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) të fillojë organizimin e protestave për të kërkuar nga institucionet kosovare siguri për punëtorët në sektorin publik dhe atë privat.

Këtë gjë e ka bërë të ditur Avni Hajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), i cili për “Zërin” ka thënë që institucionet e vendit duhet sa më parë të ndërmarrin masa urgjente për evitimin e këtyre vdekjeve.

Në anën tjetër nga Inspektorati i Punës së Kosovës ndonëse thonë që gjatë këtij viti ka ulje të numrit të personave të vdekur në vendet e tyre të punës, përsëri për këto vdekje fajësojnë organet komunale, të cilat sipas tyre japin lejen e ndërtimit në zona të rrezikshme për punëtorët.

Hajdini: Inspektorati të ofrojë siguri për punëtorët

Avni Hajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), pas rastit të ndodhur në komunën e Mitrovicës, ku një i ri humbi jetën në vendin e tij të punës, për “Zërin” ka thënë që më 1 maj të këtij viti BSPK-ja do të organizojë protesta, ku ftohen të gjithë qytetarët të bashkëngjiten për të kërkuar të drejtat e punëtorëve.

“Patjetër që protesta do të ketë për 1 maj, për atë arsye është caktuar komisioni për udhëheqjen e protestave dhe gradualisht do të shohim mobilizimin e qytetarëve dhe gjithë shoqërisë civile. Kërkesat tona në këtë protestë janë lidhur me marrëveshjen kolektive, pagën minimale, skemën pensionale, sigurinë dhe shëndetin në punë”, ka thënë Hajdini, duke ftuar gjithë shoqërinë civile që t’i bashkëngjiten protestës.

Ndërkohë Hajdini, duke e komentuar vdekjen që ndodhi të hënën në Mitrovicë, ka theksuar se ndonëse punëtorët detyrohen të punojnë në çfarëdo kushtesh si pasojë e shkaqeve ekonomike, përsëri Inspektorati i Punës do të duhej të ofronte siguri për ta.

“Në rastin e ndodhur në Mitrovicë është dashur që Inspektorati i Punës të ketë fjalën kryesore dhe për atë arsye kam kërkuar shumë herë gjoba maksimale dhe kam kërkuar që pa u siguruar vendi i punës të mos futen punëtorët të punojnë. Për atë arsye punëtori i ndjerë për shkaqe ekonomike, sepse varfëria e ka çuar aty dhe ka pësuar me fatalitet, prandaj duhen masa rigoroze të ndërmerren sa më parë”, ka shtuar Hajdini.

Inspektorati fajëson organet komunale për vdekjet në punë

Në anën tjetër Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Punës, duke folur për sigurinë e punëtorëve në Kosovë ka thënë për “Zërin” që ndonëse ata po bëjnë mjaftueshëm në bazë të kapaciteteve që posedojnë, përsëri sipas tij faji kryesor qëndron tek organet komunale që u japin leje për punime në objekte jo të sigurta.

“Në rastin e fundit në Mitrovicë kanë pasur shumë përgjegjësi organet komunale që i kanë lejuar punimet në një objekt të tillë, që ka qenë i vjetër dhe që nuk është në funksion me vite të tëra ose në raste të tjera kur në kuvendet komunale japin lejen e ndërtimit në ndërtesa të cilat janë nën tensionin e lartë ose të ulët të rrymës elektrike. Ne çdo vit i kemi 3 ose 4 raste të vdekjeve në vendin e punës për shkak të këtyre lejeve të papërgjegjshme që jepen nga organet komunale”, ka thënë ai.

Sipas statistikave të Inspektoratit të Punës, vdekja e personave në vendin e punës vetëm gjatë vitit të kaluar ka shkuar në 23, kurse gjatë këtij viti ky numër është ulur në 3.

“Të gjitha masat që i kemi marrë si Inspektorat i Punës fatmirësisht kanë rezultuar me rezultate më të mira sesa vitin e kaluar. Këtë vit duke e përfshirë edhe rastin e djeshëm i kemi 3 raste të vdekjeve në vendin e punës dhe ky numër për neve është i lartë, por nëse e krahasojmë me vitin e kaluar është një gjendje më e mirë e sigurisë në punë. Ne si Inspektorat vitin e kaluar i kemi shqiptuar 270 gjoba në përgjithësi për të gjithë territorin e Kosovës”, ka potencuar Ibrahimi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur që gjobat për mosofrimin e kushteve të duhura në punë fillojnë nga 100 deri në 35 mijë euro.

Opozita: Qeveria nuk po i merr seriozisht vdekjet në vendin e punës

Besa Baftiu, kryetare e Komisionit për Punë dhe Mirëqenie Sociale, i ka thënë “Zërit” që pavarësisht thirrjeve që ka bërë komisioni që ajo drejton për këtë çështje, Qeveria po vazhdon të mos i marrë seriozisht vdekjet në vendin e punës.

“Ne edhe nga raportimet që kemi pasur nga Inspektorati i Punës në komisionin që unë udhëheq kemi marrë premtime që do të merren masa për sigurinë e punëtorëve në punë, se do të rritet numri i inspektorëve, mirëpo rezultati në terren është ndryshe. Në vazhdimësi po kemi humbje të jetëve të njerëzve, që do të thotë se kjo nuk është punë shumë serioze nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, është përgjegjësi e Inspektoratit të Punës që të evidentojë shkeljet e të drejtave të punëtorëve dhe të ofrojë siguri për ta.

Shala: Institucionet, të paafta për t’i parandaluar vdekjet në punë

Ndërsa Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), për “Zërin” ka thënë që institucionet vendore nuk po bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar vdekjet e punëtorëve në vendin e punës.

“Institucionet kosovare vazhdimisht për raste të tilla bëjnë deklarime publike, por nuk ndërmarrin masa ndaj atyre që janë përgjegjës për vdekje të punëtorëve në punë. Humbja e jetës në ndërtimtari është bërë e përditshme dhe madje as nuk po merret si lajm. Shteti duhet të krijojë masa për krijimin e kushteve për të punësuarit e ndërmarrjeve ose në të kundërtën të ashpërsojnë politikën e ndëshkimit për kompanitë punëdhënëse”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndonëse punëtorët për shkaqe ekonomike pranojnë të punojnë në vende jo të sigurta, përsëri sipas tij Inspektorati i Punës do të duhej të ofronte siguri për ta.

“Personat që humbin jetën janë të detyruar që për shkaqe tejet të vështira ekonomike të punojnë në ambiente jo të sigurta dhe të rënda për punë. Inspektorati i Punës nuk ka kapacitet as me njerëz e as me asgjë që t’i përcjellë të gjithë punëtorët të cilët punojnë nëpër vende të ndryshme, prandaj mund t’i raportojë vetëm disa raste ose të ndërmarrë veprime të caktuara, por jo të gjitha”, ka shtuar ai.

Shala vlerëson se në Kosovë nuk ka asnjë mekanizëm që do të merrej me parandalimin e këtyre rasteve, ndërkaq askush sipas tij nuk po punon për parandalimin e këtyre aksidenteve.