Një infermiere kujdeset për 20 foshnje në Klinikën e Neonatologjisë

Një infermiere kujdeset për 20 foshnje në Klinikën e Neonatologjisë

Aktuale April 24, 2019 - 08:02
Lexoni detajet
Image

Për shkak të mungesës së stafit mjekësor në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) një infermiere duhet të kujdeset për 20 foshnje. Edhe pse mijëra foshnje trajtohen në vit në këtë klinikë, numri i personelit mjekësor që ofron shërbime vazhdon të jetë i vogël, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci, ka thënë për “Zërin” se në të gjitha repartet e Klinikës ka nevojë për staf të mesëm. Sipas tij, në këtë klinikë një infermiere duhet të kujdeset për 20 fëmijë.

LEXO EDHE: Më 1 maj protestë kundër vdekjeve në vendin e punës

“Në Klinikën e Neonatologjisë trajtohen patologji të ndryshme. Patologjitë që i trajtojmë më së shpeshti janë asfiksionet, foshnjat premature, infeksionet, si dhe anomalitë e ndryshme te foshnjat. Megjithatë, ne në të gjitha repartet e Klinikës së Neonatologjisë kemi mungesë të stafit të mesëm. Vetëm me foshnje të shëndosha duhet të merret një infermiere me 10 foshnje, ndërsa në Klinikën e Neonatologjisë mund të merret me 20 foshnje”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se edhe në Repartin e Intensives në këtë klinikë ka mungesë të stafit. Për shkak të mungesës, sipas tij, një infermiere në Intensivë duhet të kujdeset për pesë foshnje.

“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhet të jetë një infermiere me dy foshnje, ndërsa te ne në Kujdesin Intensiv një infermiere merret me 5 foshnje. Unë kisha bërë thirrje që të reduktohet më shumë stafi i mesëm në Klinikën e Neonatologjisë”, ka thënë ai. Për punësimin e stafit të ri Klinika e Neonatologjisë tashmë ka bërë edhe kërkesa.

“Ne zakonisht i bëjmë kërkesat, por ka mungesë të rekrutimit. Këto probleme nuk varen vetëm nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), por edhe nga Ministria e Financave se sa e kanë numrin e caktuar të punësimit për sektorë të caktuar”, ka thënë ai.

Institucioneve shëndetësore u mungojnë deri në 5 mijë punëtorë shëndetësorë

Përveç Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, mungesë të stafit mjekësor ka edhe në klinikat tjera në QKUK, si dhe në spitalet regjionale.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se institucioneve publike shëndetësore në vend, sipas standardeve botërore, u mungojnë rreth 5 mijë punëtorë shëndetësorë.

Sipas tij, është e rëndë që një punëtor të kryejë punën e 10 punëtorëve shëndetësorë. “Ne sipas standardeve botërore dhe evropiane jemi diku 5 mijë punëtorë shëndetësorë mangët. Ne e kemi ngritur vazhdimisht shqetësimin, duke u bazuar në rritjen ekonomike, por nuk po donë të punësojnë më shumë se që duhet. Është e stërmundimshme që këta punëtorë të kryejnë punën e 10 motrave. Kemi mungesë të hatashme të punëtorëve shëndetësorë, i dëshirojmë standardet të cilat popullata po dëshiron t’i ketë, por ne jemi shumë larg këtij realiteti”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se do të jetë e pamundur që të ofrohen shërbime të mira mjekësore nëse numri i personelit mjekësor do të jetë i vogël.

“Të gjitha partitë politike as që e kanë idenë se sa punëtorë ne duhet t’i kemi për ta kryer këtë shërbim. Në vendin ku unë punoj merren dy motra në ndërrim me afër 50 pacientë. Është e pamundur që të ofrohet një shërbim i mirë. Ne kemi pak njerëz dhe ne mund të mundohemi për të bërë diçka, përndryshe me këtë staf që kemi nuk mundemi ta japim shërbimin që duhet. Ne vazhdimisht kemi apeluar se kemi mungesë, këta mburren që po i punësojnë 100-200 vetë. Është e pamundshme t’i mbërrijmë standardet që i duam ne”, ka thënë ai.

Syla ka folur edhe për personelin mjekësor që po ik nga Kosova, me ç’rast ka thënë se duhet që mjekëve të rinj t’u jepen paga më të mira, në mënyrë që të ofrojnë shërbime në vend dhe të mos u drejtohen shteteve tjera.

MSH-ja ka filluar punësimet e disa specialistëve dhe infermierëve në QKUK e spitale

Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti kanë hapur konkurse për punësimin e mjekëve specialistë dhe infermierëve.

Sipas saj, edhe në pjesën e dytë të këtij viti do të vazhdojë punësimi i mjekëve.

“Gjatë këtij viti është hapur konkursi dhe janë punësuar e janë në procedurë për t’u punësuar 105 mjekë specialistë në SHSKUK dhe në spitalet e përgjithshme. Ndërkohë ditë më parë është mbyllur konkursi edhe për 100 persona për staf të mesëm, infermierë dhe profesione të tjera të stafit të mesëm, laborantë, teknikë etj. Procesi i punësimit të mjekëve të rinj, specialistëve dhe stafit të mesëm do të vazhdojë edhe në pjesën e dytë të këtij viti”, ka thënë ajo.

Sa i përket punësimit të neonatologëve, MSH-ja ka thënë për gazetën se aktualisht është vetëm një neonatologe e papunë në të gjithë Kosovën.

Sipas saj, me hapjen e konkursit të ri do të shikohet mundësia edhe e punësimit të saj në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.

Baftiu: Shumë shpejt do të mbesim pa punëtorë shëndetësorë

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Besa Baftiu, ka thënë për “Zërin” se si komision janë në dijeni për mungesën e personelit mjekësor në vend.

Ajo ka thënë se së shpejti Kosova rrezikon të mbetet edhe pa staf mjekësor.

“Ne mandatin e kaluar kemi vizituar spitalet dhe kemi parë që kanë mungesë të stafit dhe që do të kenë mungesë. Duke pasur parasysh se mosha mesatare e mjekëve është diku 55 vjet, dihet se brenda 10 vjetëve ata dalin në pension dhe duke pasur parasysh edhe ikjen masive që po bëhet e qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësorë, shumë shpejt ne do të mbesim pa punëtorë”, ka thënë ajo. Baftiu ka ngritur edhe shqetësimin për mënyrën sesi po ndahen specializimet në vend, derisa ka thënë se ato duhet të ndahen në bazë të kërkesave, në mënyrë që më pastaj të mos ketë mungesë të personelit mjekësor as në QKUK e as në spitale.

“Nuk janë ndarë specializimet në bazë të nevojave dhe kërkesave të spitaleve. Si deputete kam bërë kërkesë te ministri që të kenë parasysh ndarjen e specializimeve në bazë të kërkesave”, ka thënë ajo.