Lista Serbe fiton zgjedhjet në veri

Lista Serbe fiton zgjedhjet në veri

Aktuale May 20, 2019 - 08:23
Lexoni detajet
Image

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, të mbajtura dje në katër komunat veriore të Kosovës, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, kanë nxjerrë sërish fitues Listën Serbe, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pas publikimit të rezultateve preliminare nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) u bë e ditur se katër kandidatët e LS-së arritën të sigurojnë pjesën dërrmuese të votave, duke u zgjedhur kryetarë të komunave përkatëse. Sipas këtyre rezultateve preliminare të publikuara, në Mitrovicë të Veriut, Lista Serbe me kandidatin Goran Rakiq mori 95,2% të votave, PDK-ja me kandidaten Gonxhe Çaushi 3,1%, kurse LVV-ja me Erden Atiqin 1,6%. Ndërkohë në Zubin Potok Lista Serbe (Srxhan Vulloviq) ia doli t’i marrë 94,1% të votave, PDK-ja (Hysen Mehmeti) mori 3,1% dhe LVV-ja (Liridona Kahrimani) 2,8% të votave të qytetarëve. Ndërkaq në Leposaviq Lista Serbe (Zoran Todiq) mori 96,4%, PDK-ja (Shaqir Hetemi) 2,1%, LVV-ja (Fisnik Veseli) 1,5%. Edhe në komunën e Zveçanit Lista Serbe dominoi bindshëm. Me kandidatin Vucina Jankoviq LS-ja mori 96,4% të votave, kurse LVV-ja me Avdi Pecin 2,2% e PDK-ja me Ilir Pecin siguroi 1,4% të votave.

LEXO EDHE: Mashtrimi i madh me luftën në Siri

Lista Serbe festë në veri, Vuçiqi uron për fitore

Ende pa u publikuar rezultatet preliminare, Lista Serbe gjatë mbrëmjes së djeshme shpalli fitoren dhe nisi festën në veri të Mitrovicës. Kryetari, tashmë i zgjedhur, i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, telefonoi presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, me ç’rast e njoftoi për rezultatin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.

“President, dua t’ju informoj se ne jemi këtu në shesh. Nuk po e festojmë fitoren, sepse kjo për ne ishte e pritshme. Por po kremtojmë unitetin e popullit serb dhe po festojmë lidhjet tona të forta me shtetin tonë - Serbinë”, i tha Rakiqi presidentit serb nëpërmjet telefonit.

Me këtë rast, Vuçiqi uroi drejtuesit e Listës Serbe për fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të mbajtura gjatë së dielës në katër komunat veriore të Kosovës.

“Kjo është dëshmia më e mirë politike dhe e bashkimit. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë, në Serbinë tonë”, theksoi presidenti serb, gjersa bisedoi në telefon me Rakiqin.

24 mijë e 595 persona shfrytëzuan të drejtën e votës

Pak pas mbylljes së vendvotimeve, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) mbajti një konferencë për medie, me ç’rast procesin e djeshëm zgjedhor e cilësoi të qetë dhe pa probleme.

Gjatë deklarimit të saj kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, njoftoi se deri në orën 19.00 të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 24 mijë e 595 (42,42%) qytetarë me të drejtë vote nga 57 mijë e 983 sa ishte numri i përgjithshëm i tyre.

Sipas KQZ-së në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 deri në orën 19:00 kishin votuar 23 mijë e 891 votues apo 41,90%.

Gjatë deklaratës tutje Daka bëri të ditur se subjektet politike kanë afat 24 orë nga mbyllja e procesit të votimit për të bërë ankesa në PZAP lidhur me procesin e votimit në veri të Kosovës.

LEXO EDHE: Dorëheqja, fjalë e panjohur në Kosovë

DnV: U lejuan votime me dokumente të Serbisë

Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, i cili ka vëzhguar dje mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në veri, ka konsideruar se parregullsitë më të shpeshta që e përcollën procesin e së dielës kishin të bënin me votimin me dokumente të Serbisë, vështirësitë e votuesve për ta gjetur veten në listë etj.

“Parregullsitë më të shpeshta që e kanë karakterizuar votimin janë identifikimi i votuesve, votimi me dokumente të Serbisë që është lejuar nga komisionarët, një nga fenomenet tjera është vështirësia e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në listën e votuesve”, deklaroi në njërën prej konferencave të mbajtura dje Eugen Cakolli nga DnV-ja.

Gjithashtu, probleme sipas tij pati edhe sa i përket votimit familjar, votimit jashtë kabinave të votimit, si dhe tentimit për të votuar dy herë.

Ndërkaq kryetarja e KQZ-së tha se ka pasur raste që persona të caktuar janë paraqitur me dokumente të Serbisë, por ata nuk kanë qenë në listë të votuesve. Kurse, në rast se ka të atillë që u është lejuar votimi në këtë formë, siç ajo u shpreh, do të bëhet një vlerësim rreth kësaj çështjeje.

“Nëse kanë votuar me dokumente të Serbisë, nëse janë personat e njëjtë në listë të votuesve, do të vlerësohen. Ndërsa nëse nuk janë në listë të votuesve, nuk janë lejuar të votojnë. Ka pasur raste që janë paraqitur me dokumente të Serbisë, por nuk kanë qenë në listë të votuesve dhe nuk janë lejuar”, deklaroi gjatë ditës së djeshme Daka.

Procesi zgjedhor cilësohet i qetë, pa probleme

Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, gjatë së dielës tha se nuk është pranuar ndonjë informatë lidhur me ndonjë incident të mundshëm në veri.

“Që nga orët e hershme të mëngjesit kur kemi filluar me zbatimin e planit operativ nuk kemi marrë asnjë informacion për ndonjë incident të mundshëm që do të ndikonte në procesin e zgjedhjeve. Në ditët e kaluara dhe tash nuk kemi pasur asnjë indikacion për ndonjë parregullsi të mundshme”, deklaroi Hoti.

Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula, tha se ecuria e rregullt për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në veri ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit mes institucioneve.

“Sot fatmirësisht deri më tani nuk kemi asnjë incident, asnjë rast të paraqitur në Policinë e Kosovës edhe ne si Zyrë e Prokurorit të Shtetit. Prandaj një mobilizim, si një bazë e një memorandumi bashkëpunimi mes institucioneve relevante, edhe këtë herë ka dhënë rezultatin e vet”, nënvizoi Pula

Se procesi zgjedhor në komunat veriore është mbajtur pa ndonjë incident vlerësoi edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

“Procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull, të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk ka pasur asnjë incident deri më tani. Votimi i qytetarëve në këto zgjedhje është më i lartë sesa në vitin 2017”, tha dje gjatë ditës Braathu.

Krerët institucionalë përshëndesin procesin zgjedhor në veri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar partitë politike për fushatën e qetë në katër komunat veriore të Kosovës. Pas hapjes së procesit zgjedhor, kreu i shtetit ka uruar proces të rregullt në veri të vendit.

“Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të suksesshme. Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë në shërbim të integrimit sa më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës”, potencoi i pari i shtetit.

Ndërkohë pas përfundimit të procesit kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, përgëzoi qytetarët e komunave veriore për procesin e qetë zgjedhor, të mbajtur gjatë ditës së djeshme. Veseli me këtë rast tha se zgjedhjet e së dielës kanë konfirmuar sovranitetin e Kosovës.

“Me këto zgjedhje u konfirmua sovraniteti institucional dhe territorial i Republikës së Kosovës. Do të punojmë bashkë, edhe më shumë, për ta përmirësuar jetën e secilit në Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e në tërë Kosovën. Ecim përpara me ‘Dekadën e Re’”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përshëndeti procesin zgjedhor, i cili u mbajt gjatë ditës së djeshme në veri të Kosovës. Shefi i ekzekutivit me këtë rast tha se qytetarët e katër komunave veriore dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Përshëndes procesin e rregullt zgjedhor, për zgjedhjen e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës. Në këto zgjedhje të parakohshme qytetarët e kësaj ane dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pa ndonjë incident në një proces demokratik, duke votuar për kandidatët që ata besojnë se do t’u shërbejnë interesave të tyre”, deklaroi Haradinaj.

Akuza për tregti votash

Gjatë ditës së djeshme pati akuza mes dy partive shqiptare të cilat morën pjesë në zgjedhje, PDK-së e LVV-së. Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi, tha se LVV-ja dhe LDK-ja kanë bashkëpunuar për tregtim të votave, duke synuar që ta rrisin pjesëmarrjen e numrit të votuesve të LS-së.

“Ne si PDK kemi disa shqetësime që dyshohet sipas informacioneve të terrenit se ka tentim të tregtimit të votave. Kjo ka të bëjë me LDK-në dhe me LVV-në, të cilat janë duke tentuar që ta rrisin pjesëmarrjen e numrit të votuesve të Listës Serbe. E këta të fundit ta rrisin numrin e votuesve të LVV-së dhe t’i paraqesin si fitues”, deklaroi ajo.

Menjëherë pas kësaj reagoi kandidati i LVV-së për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq, i cili akuzat e PDK-së i quajti shpifje.

“Akuzat e PDK-së janë qesharake, nuk ka asgjë të vërtetë. Këto janë fabrikime të tyre. Nuk ka shanse që ne të kemi bashkëpunuar me Listën Serbe për të tregtuar vota. Gjasa është zero për qind, këto janë vetëm rrena. Kjo është shpifja më e ulët që është bërë”, theksoi Atiq.

Lista Serbe: Vendimet, në konsultim me Vuçiqin

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tashmë i zgjedhur në krye të Mitrovicës së Veriut tha para votimit dje se serbët e Kosovës kanë kryer detyrën e tyre pasi ata e kanë kuptuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.

“Kemi kryer obligimin tonë qytetar. Siç mund ta shihni qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar seriozisht rëndësinë jo vetëm të këtyre zgjedhjeve lokale, por të referendumit i cili për ne që jetojmë këtu do të thotë mbijetesë dhe ekzistencë në këto hapësira”, deklaroi ai.

I pyetur nëse do të japë sërish dorëheqje në rast se fiton zgjedhjet, Rakiq tha se fillimisht duhet pritur vendimi i qytetarëve në mënyrë që më pas të vendoset lidhur me këtë çështje.

“Pas përfundimit të zgjedhjeve do të shohim si do të jenë rezultatet, ndërsa vendimet se si do të vazhdojmë do t’i marrim me Aleksandër Vuçiqin. Ne shpresuam në mirëkuptimin të zyrtarëve të Prishtinës e veçanërisht nga bashkësia ndërkombëtare në heqjen e taksës dhe shpresoj që pas këtyre zgjedhjeve taksa të hiqet”, theksoi ai.

Ndërkohë Natalya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se mbetet me shpresë që asnjë nga kryetarët e zgjedhur të mos japë dorëheqje ashtu sikurse kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. Sipas saj, BE-ja ka shumë fonde për të dhënë për Kosovën, duke përfshirë këtu pa dyshim edhe pjesën veriore të saj.

Ish-kryetarët e Listës Serbe patën dhënë dorëheqje rreth gjashtë muaj më parë si shenjë revolte për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. Po ashtu përfaqësuesit e LS-së para pak kohësh kanë paralajmëruar se do të japin sërish dorëheqje./ZERI