Partitë shqiptare në veri zotohen se do të punojnë për shqiptarët

Partitë shqiptare në veri zotohen se do të punojnë për shqiptarët

Aktuale May 21, 2019 - 09:51
Lexo Detajet

Në zgjedhjet e së dielës Lista Serbe mori kryesimin e katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, të gjitha me mbi 90 për qind të votave. Ndonëse në atë pjesë të vendit garuan dy parti politike shqiptare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të njëjtin guxim vlerësohet se nuk e patën edhe partitë tjera serbe, siç kanë thënë drejtuesit e këtyre të fundit, për shkak të shantazhit dhe të kërcënimeve të Listës Serbe, shkruan gazeta "Zëri".

Partitë shqiptare që garuan në këto zgjedhje, deklaruan për “Zërin” se pavarësisht humbjes do të vazhdojnë të punojnë për interesa të shqiptarëve.

Kandidatja nga PDK-ja, Gonxhe Çaushi tha se përfaqësimi i shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut do të bëhet përmes subjektit të saj, kurse politikat e Beogradit thotë ajo, nuk kanë vend atje.

LEXO EDHE: Fituan, paralajmërojnë sërish dorëheqje

“Përfaqësimi i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet vetëm përmes PDK-së. Edhe në këto zgjedhje qytetari tregoi për besimin që ka ndaj nesh si subjekt, ku jemi të vetmit që u jemi përgjigjur dhe i kemi adresuar kërkesat e tyre. Politikat e Beogradit Lista Serbe mund t’i zbatojë vetëm në Beograd. Ne jemi shtet i pavarur dhe demokratik. Ata duhet të mësohen njëherë e përgjithmonë me këtë fakt që në Kosovë mund të zbatohen vetëm politikat e Kosovës”, ka theksuar ajo.

Kurse, shefi i shtabit të Vetëvendosjes, Alban Uka tha se Vetëvendosja do të punojë për këtë pjesë, pavarësisht humbjes. Ai tutje ka deklaruar për “Zërin” se prezentë atje janë klientelizmi dhe premtimet gënjeshtare.

"Në bazë të deklaratave që kanë dhënë kandidatët serbë normalisht se është dëmtuar edhe demokracia në këtë pjesë të vendit, mirëpo ne si Vetëvendosje nuk do të ndalemi. Ne këto komuna i shohim si vendin tonë dhe janë Republikë e Kosovës e kushdo që mendon ndryshe e ka gabim", është shprehur ai.

"Fatkeqësisht, është akoma i fortë ndikimi i klientelizimit dhe i premtimeve gënjeshtare të partive politike si të Listës Serbe, ashtu edhe të PDK-së, të cilat menjëherë pas zgjedhjeve po harrohen dhe po keqpërdoret situata e rëndë ekonomike e banorëve të veriut", ka potencuar tutje./ZERI