Sheholli: Kosova të marrë masa ndaj qasjes së Listës Serbe

Sheholli: Kosova të marrë masa ndaj qasjes së Listës Serbe

Aktuale May 21, 2019 - 14:25
Lexo Detajet

Në zgjedhjet e së dielës Lista Serbe mori kryesimin e katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, të gjitha me mbi 90 për qind të votave. Ndonëse në atë pjesë të vendit garuan dy parti politike shqiptare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të njëjtin guxim vlerësohet se nuk e patën edhe partitë tjera serbe, siç kanë thënë drejtuesit e këtyre të fundit, për shkak të shantazhit dhe të kërcënimeve të Listës Serbe, shkruan gazeta "Zëri".

Sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN), Fatmir Sheholli, situata pritet të mbetet e njëjtë edhe pas zgjedhjeve pasi që thotë ai, vështirë të mendohet që Lista Serbë do ta pranojë realitetin kosovar. Sipas tij, ata vetëm sa kanë shpenzuar buxhetin e Kosovës.

LEXO EDHE: Fituan, paralajmërojnë sërish dorëheqje

“Lista Serbe në veri vetëm e ka shpenzuar buxhetin e Kosovës për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse siç po shihet ata vështirë se do ta njohin realitetin e pavarësisë së Kosovës. Vetë fakti që ata nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe me Republikën e Kosovës, me deklaratat e tyre shumë acaruese dhe jokontribuuese kanë bërë të ditur se situata nuk do të ndryshojë”, ka potencuar ai për gazetën “Zëri”.

Ai thekson se autoritetet e Kosovës konform Kushtetutës duhet të ndërmarrin masa politike ndaj qasjes së Listës Serbe. “Ky fakt i mosbindjes duhet të krijojë ndonjë element që shteti ynë të ndërmarrë masa kushtetuese ndaj atyre të cilët e shprehin mosbindjen qytetare dhe mosbindjen kushtetuese. Prandaj institucionet e Kosovës, Kushtetua e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës duhet të veprojnë në këtë aspekt dhe të ndërmarrin masa politike ndaj këtyre subjekteve dhe në këtë rast ndaj Listës Serbe”, ka shtuar ai./ZERI