LDK: Ditët në vijim me Vetëvendosjen do të veprojmë për organizimin e mocionit

LDK: Ditët në vijim me Vetëvendosjen do të veprojmë për organizimin e mocionit

Aktuale May 22, 2019 - 13:28
Lexo Detajet

Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dalur me komunikatë zyrtare pas takimit që lideri i tyre e pati me atë të Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Ata theksuan se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, qoftë kjo përmes mocionit të mosbesimit të Qeverisë, qoftë përmes shpërndarjes së Kuvendit.

“Z. Mustafa dhe z. Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet. Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme”, thuhet në komunikatë, përcjell zeri.info.

Nga LDK-ja kanë thënë se veprimet për organizimin e mocionit do të bëhen ditëve në vijim./ZERI

Komunikata e plotë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në mëngjesin e sotëm u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Dy liderët e partive opozitare në Kosovë, diskutuan për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN.

LDK, në nëntor të vitit të kaluar, kishte aprovuar Platformën Zgjedhore duke konstatuar se institucionet e dala nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 nuk po e bëjnë punën e tyre në interes të vendit dhe të forcimit e të konsolidimit të shtetit të Kosovës, se Kuvendi i Republikës së Kosovës është bërë jofunksional dhe se Qeveria e koalicionit qeverisës nuk përfaqëson shumicën në Kuvend.

Rrjedhimisht, LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

z. Mustafa dhe z. Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet. Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme.

Në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit.