Analistët: Iniciativa për mocion ndaj qeverisë Haradinaj, e kotë dhe joserioze

Analistët: Iniciativa për mocion ndaj qeverisë Haradinaj, e kotë dhe joserioze

Aktuale May 22, 2019 - 19:07
Lexo tjera detaje

Partitë politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë kësaj jave janë takuar për të shqyrtuar mundësinë e inicimit të një mocioni për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Mirëpo, edhe pas dy takimeve brenda një jave të dy liderëve, nga LDK, Isa Mustafa dhe nga VV, Albin Kurti, asgjë konkrete nuk pati. Është paralajmëruar edhe një takim mes Mustafës edhe kryetarit të PSD-së, Shpend Ahmeti gjatë ditës së nesërme. E pikërisht për këtë, gjithë këto takime e iniciativa, nga analistët politik po shihen si të kota.

Madje ata nuk besojnë që LDK, VV e PSD do ta fillojnë edhe inicimin e një mocioni mos besimi. E gjithë kjo thonë ata, për shkak se këto parti nuk duan që ta rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe kur dihet që partitë në pushtet janë të kënaqura me punën e të parit të ekzekutivit.

Analisti politik, Ramush Tahiri tha për Gazetën Blic se tashmë në një situatë kur LDK, VV e PSD kanë mbi 50 vota nuk do ta rrëzojnë qeverinë me Listën Serbe. Thotë, madje se nuk ka as interes të partive politike që në këtë kohë ta rrëzojnë qeverinë pikërisht për shkak të paralajmërimit të takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Lista Serbe në këtë rast është e pabesë sepse ju thotë po, dhe në moment të fundit bën pazar me të tjerët dhe nuk voton, e që mund të ndodhë sepse nuk ka ndonjë interes por vetëm të përçajë partitë shqiptare. Edhe VV ka deklaruar që nuk e rrëzon me Listën Serbe. A ka interes dikush që të rrëzojë Haradinajn kur ka paralajmëruar edhe takim me kancelaren gjermane Merkel më 6 qershor? D.m.th duhet me qenë dikush shumë anti- kombëtar që me e rrëzua në këtë fazë Ramush Haradinajn ose me nis procedurë për rrëzim të qeverisë, kur s’ka pas deri më tani dikush takim me Merkelin“, tha Tahiri.

Përveç kësaj, ai ka përmendur edhe Samitin e Parisit si njërën prej arsyeve se përse partitë opozitare nuk guxojnë që të marrin një iniciativë për rrëzimin e Qeverisë.

“Nisma për me e rrëzu Qeverinë nuk ka sukses dhe nuk guxon askush ta fillojë. Gjithashtu nuk shoh ndonjë interes për rrëzimin e Qeverisë tash kur dihet edhe takimi i Parisit lidhur me dialogun me Serbinë. Do të ishte interes vetëm nëse dëshirojnë ta rrëzojnë Qeverinë dhe ta lënë presidentin ta udhëheqë këtë. Mirëpo kjo është një lojë shumë e rrezikshme“, përfundoi ai.

Se nisma e tri partive opozitare për rrëzimin e qeverisë është jo serioze po e thotë edhe analisti tjetër, Imer Mushkolaj. Ai për Gazetën Blic tha se kjo është një taktikë e LDK-së dhe se për këtë dyshimi ekziston edhe tek deputetët e Kuvendit të cilët akoma nuk i kanë bërë 2 vite punë në këtë legjislaturë.

“Nuk e di se çfarë ka ndryshuar sot me situatën e para 1 muaji, para 6 muajve apo para 1 viti për me e rrëzua qeverinë. Atë qeveri që e kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe e kemi edhe tash. Nuk po e di se cila është e reja. Besoj që është taktikë sidomos e LDK-së dhe s’besoj që mund të ketë rrëzim edhe për një arsye që mund të jetë banale por për 2 vjet prej të qenit deputetë të legjislaturës aktuale dhe ne e dimë që pa i mbush dy vite nuk i përfitojnë ato privilegjet pas mandatit. E në anën tjetër nëse dështon tash mocioni atëherë nuk ka të drejtë që brenda 6 muajsh të merret një mocion tjetër. Nuk besoj që bëhet fjalë për ndonjë iniciativë serioze që do të qonte në rrëzimin e qeverisë”, tha Mushkolaj.

Ndryshe, tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për suksesin e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë, nevojiten edhe 5 vota.

Sidoqoftë, një nismë e ngjashme për rrëzimin e Qeverisë nga ana e partive opozitare ka ndodhur edhe në vitin e kaluar. Ajo kishte dështuar për shkak të pamundësisë për të siguruar 61 votat e nevojshme. Partitë opozitare, asokohe patën thënë se u mungonin 3 vota për rrëzimin e Qeverisë.