Zgjedhjet në BE, 'ethet' në Kosovë

Zgjedhjet në BE, 'ethet' në Kosovë

Aktuale May 23, 2019 - 08:09
Lexo tjera detaje
Image

Qytetarët e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian këtë të diel do t’u drejtohen kutive të votimit për ta zgjedhur legjislaturën e re evropiane, shkruan gazeta "Zeri"

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian vlerësohet se kanë rol të rëndësishëm edhe në procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me BE-në. 

Sipas njohësve të çështjeve integruese, nëse partitë e ekstremit të djathtë shënojnë rritje në këto zgjedhje, atëherë ky është një indikacion i qartë se votuesit atje nuk janë të gatshëm të aplikojnë politika të cilat lehtësojnë migrimin e të huajve në BE.
Besnik Vasolli, njohës i proceseve integruese, ka deklaruar për “Zërin” se këto zgjedhje konfirmojnë vullnetin e qytetarëve evropianë për tema të ndryshme. “Në fakt zgjedhjet konfirmojnë vullnetin e qytetarëve për temat e ndryshme që përfliten në BE. Njëra ndër to është tema e migrimit dhe të huajve atje. Rrjedhimisht nëse partitë e ekstremit të djathtë shënojnë rritje, ky do të ishte një indikacion që votuesit nuk janë të gatshëm të aplikojnë politika të cilat lehtësojnë migrimin e të huajve në BE. Me fjalë tjera, ata presin që BE-ja të marrë masa restriktive dhe selektive ndaj të huajve. Në këtë kontekst hyjnë edhe liberalizimi i vizave me Kosovën dhe jo vetëm”, ka potencuar ai. 

Ai madje ka vlerësuar se nëse ndodh që ekstremi i djathtë forcohet, ka rrezik që edhe me shtetet tjera të rajonit, por edhe me gjerë të kthehet regjimi i vizave.

“Pas zgjedhjeve do të vendoset se kush do të jetë raportues për liberalizimin e vizave për Kosovën. Këshilli, sipas Traktatit të Lisbonës, duhet të vendosë së bashku me Parlamentin dhe mund të ndodhë që ata të mos jenë të gatshëm të marrin një vendim favorizues për Kosovën, por përkundrazi të kërkojnë angazhime shtese. Shanset janë më se reale që partitë e djathta të forcohen dhe kështu të dobësojnë partitë e tjera dhe nëse kjo ndodh, atëherë procesi i integrimit i tërë Ballkanit Perëndimor mund të vijë në pikëpyetje, ose së paku të ngadalësohet edhe më tutje”, ka shtuar ai, shkruan Gazeta "zëri".

Edhe profesori universitar Arben Fetoshi, duke folur për zgjedhjet në BE, ka thënë për “Zërin” që rezultatet e këtij procesi janë përcaktuese për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Sipas tij, duke u bazuar në opinionet parazgjedhore, ekziston rreziku i qartë që partitë djathtiste të fitojnë fuqi në Parlament, çka e “bllokon” më tutje procesin e liberalizimit për Kosovën. 

Fetoshi megjithatë vlerëson se zgjedhjet e BE-së mund të pasohen edhe nga një qasje e re ndaj Ballkanit Perëndimor në kuptim të transformimit demokratik dhe të angazhimit strategjik kundrejt rrezikut të shteteve të mëdha si Rusia dhe Kina.

“Ajo që është shqetësuese lidhur me këto zgjedhje është aftësia e Rusisë për të ndërhyrë me propagandë, përkatësisht paaftësia e BE-së për t’u mbrojtur në mënyrë efikase nga sulme të tilla. Krahas arsyeve të tjera, edhe kjo është favorizuese për forcat populiste, ndërsa momenti më indikativ mendoj se do të jetë rezultati në Mbretërinë e Bashkuar”, ka deklaruar Fetoshi. 

Ndërsa anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka theksuar për “Zërin” se përpos rezultatit të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, heqja e vizave për kosovarët varet më shumë nga veprimet e institucioneve kosovare kundrejt luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

“Se cila do të jetë qasja e Parlamentit Evropian varet prej rezultateve të zgjedhjeve e para së gjithash varet prej sjelljeve tona përbrenda vendit. Tani është e qartë që Evropa nuk do t’i japë qasje një vendi i cili ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe ne si opozitë e kemi thënë vazhdimisht që Demarkacioni me Malin e Zi nuk është kushti i vetëm për liberalizim, por është edhe luftimi i krimit të organizuar edhe i korrupsionit. E keqja e kësaj është që në këtë drejtim asgjë nuk po ndryshon”, ka thënë ai. /ZËRI