Në spitalet rajonale mungojnë aparaturat, s’ka diagnostikim të sëmundjeve
Foto: Laura Hasani

Në spitalet rajonale mungojnë aparaturat, s’ka diagnostikim të sëmundjeve

Aktuale May 23, 2019 - 08:15
Lexo tjera detaje
Image

Në repartet e Radiologjisë në spitalet regjionale në Kosovë mungojnë disa aparatura të rëndësishme, të cilat shërbejnë për diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme. Ndërsa disa nga aparaturat të cilat janë në funksion në këto spitale janë edhe të amortizuara, shkruan Gazeta "Zëri".

Zyrtari për Informim në Spitalin e Prizrenit, Shefajet Berisha, ka thënë për “Zërin” se në Repartin e Radiologjisë në këtë spital mungon aparatura e skopit (merren imazhe me kualitet të lartë të organeve), mamografia digjitale (metodë për detektimin e formacioneve tumoroze në gji) si dhe rezonanca magnetike (ekzaminim imazherik për diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme).

Ndërsa, sipas tij, aparaturat që i ka në funksion Reparti i Radiologjisë janë të amortizuara. “Puna në Radiologji kryhet me dinamikë të plotë 24 orë dhe kryhen të gjitha shërbimet me aparaturën që kemi në dispozicion. Nuk posedojmë: skopi, mamografia digjitale, rezonancë magnetike (MRI). E gjithë aparatura ekzistuese është në funksion, por është e amortizuar dhe me vjetërsi më shumë se pesë vjet. CT-ja ekzistuese është dyshtresore, e vitit 2006, e amortizuar, por është në funksion të plotë”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se sa i përket CT-së ka edhe lista të pritjes deri në tri javë për pacientët, të cilët nuk janë me raste urgjente. “Për rastet emergjente dhe te rastet e hospitalizuara nuk ka listë të pritjes dhe shërbimet kryhen brenda ditës. Për pacientët jashtëspitalorë ka lista të pritjes për CT-në, por jo më shumë se dy javë, përveç rasteve me kontrast që mund të jenë deri në tri javë. Ndërsa për shërbimet tjera pritja dy deri në katë ditë dhe jo më shumë se një javë”, ka thënë ai, shkruan gazeta zeri.

Radiologjia në Spitalin e Gjilanit është me mungesë të aparaturave

Në Repartin e Radiologjisë në Spitalin e Gjilanit momentalisht mungon CT-ja 64-shtresore, e cila shërben për diagnostikimin dhe më pas për ndjekjen e sëmundjeve të ndryshme.

Drejtori i këtij spitali, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se janë duke pritur që CT-ja 64-shtresore t’u vijë si donacion nga një projekt i qeverisë së Luksemburgut. Ndërsa sa i përket mamografit digjital, ai ka thënë se e kanë një të tillë, porse është i demoduar, andaj edhe kanë bërë kërkesë për një mamografi të re. Në Shërbimin e Radiologjisë e kemi rëntgenin digjital dhe CT-në, e cila është në funksion. Mamografi nuk kemi, por ne kemi bërë kërkesë dhe po presim nëse munden të na sigurojnë përmes buxhetit të Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), pasi mamografia aktuale është blerë para 6-7 vjetëve dhe është e demoduar e nuk u përgjigjet nevojave të kohës. Ne tani po presim donacion prej projektit të qeverisë së Luksemburgut, që është në zhvillim e sipër për një CT 64-shtresore moderne”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka thënë më tej se me buxhetin që e kanë planifikojnë për këtë vit të blejnë aparaturë për Repartin e Fiziatrisë, si dhe të blejnë një rëntgen digjital. “Për këtë vit janë të planifikuara të blihen aparatura në vlerë deri 100 mijë euro. Ne kemi filluar procedurat e tenderimit të blerjes së aparaturës për Repartin e Fiziatrisë dhe për një rëntgen digjital. Aq na mjaftojnë paratë për aparaturë që ne vetë mund ta blejmë”, ka shtuar ai.

Në Repartin e Radiologjisë në Gjakovë aparaturat janë me defekte

Edhe në Repartin e Radiologjisë në Gjakovë mungon mamografia digjitale dhe rezonanca magnetike. Përveç mungesës së këtyre aparaturave, prej aparaturave që i ka në dispozicion ky spital ka prej tyre që janë edhe me defekte. “Ne qe dy vjet e kemi blerë një rëntgen, por qe një muaj kemi defekt, jo rryma, jo diçka tjetër. E kemi edhe një rëntgen pak më të vjetër, i cili është duke punuar. CT-ja punon mirë, por qysh e ka rrethin e gjerë Spitali i Gjakovës është mirë t’i ketë dy aparate të radiologjisë të reja. Ne kemi skopi, por mamografi digjitale nuk kemi”, ka thënë drejtori i këtij spitali, Ahmet Asllani.

Ai ka bërë të ditur se si spital e kanë buxhetin në vlerë prej 100 mijë eurove, por ato janë pak për t’i mbuluar të gjitha mungesat. “Të gjitha spitalet e kemi një buxhet në vlerë prej 100 mijë eurosh që konsiderojmë se është pak, por me zotimin e SHSKUK-së besojmë që plotësohen mungesat. SHSKUK-ja përmes Ministrisë e ka hapur një kontratë për furnizim me aparatura në spitale dhe jemi në pritje”, ka thënë ai.

Millaku: Rritja e buxhetit nuk i përmirësoi kushtet nëpër spitale

Me rritjen e buxhetit për shëndetësi, përkatësisht në 234 milionë euro për vitin 2019, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi kanë shpresuar të ketë edhe përmirësime të kushteve nëpër spitale. Anëtarja e këtij Komisioni, Drita Millaku, ka thënë për “Zërin” se do të kërkojnë që aparaturat të riparohen ose të blihen të reja. “Pyetjet rreth Radiologjisë ishin shqetësim i pacientëve. Në Komision kemi pritur që përmes buxhetit të kemi përmirësime të kushteve, sepse ministri na kishte premtuar që këtë vit buxheti do të jetë shumë më i madh. Kur u nda buxheti dhe kur e pashë se për Spitalin e Prizrenit janë ndarë vetëm 150 mijë euro, atëherë më është dashur ta pyes, sepse me ketë buxhet asnjë përmirësim nuk do të bëhet. Në ditët në vijim për këtë çështje dhe shumë të tjera të cilat janë urgjente për qytetarët përpos barnave ne duhet të insistojmë derisa këto aparatura ose të riparohen, ose të blihen”, ka thënë ajo.

Millaku ka thënë se qytetarët janë duke kërkuar gjërat elementare të cilat duhet të jenë në spitale, andaj do të insistojë që këto gjëra të sigurohen. “Nuk u intereson pacientëve a gjejnë mënyrë përmes donacioneve ose përmes buxhetit, por qytetarët po kërkojnë gjërat elementare të cilat u duhen spitaleve e të mos flasim për Prizrenin, i cili është spital regjional. Në vazhdimësi unë do të kërkoj derisa të realizohet kjo kërkesë”, ka thënë ajo./ZËRI