Kurti: Është e dhimbshme të flitet për bashkim kombëtar dhe korrigjim kufijsh në të njëjtën kohë

Kurti: Është e dhimbshme të flitet për bashkim kombëtar dhe korrigjim kufijsh në të njëjtën kohë

Aktuale June 12, 2019 - 10:55
Lexoni detajet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka cilësuar antidemokratike dhe antihistorike pretendimet e presidentit Thaçi i cili njëherë ka folur për shkëmbim territoresh e pastaj e ka përmendur si ide edhe bashkimin kombëtar. Ai e ka thënë se bashkimi duhet të ndodhë kur të dy shtetet të jenë të forta e jo të dobëta e dështuara, shkruan zeri.info

Kurti këto i ka thënë në një konferencë për medie në 14-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

"Bashkimi kombëtar është intencë e vazhdueshme historike dhe VV-ja nuk është e para që e kërkon këtë. Ne konsiderojmë që është e dhimbshme të flitet për korrigjim kufijsh dhe bashkim kombëtar në të njëjtën kohë. Ky konstatim është antihistorik dhe antidemokratik. Bashkimi kombëtar dhe evropian as nuk e kundërshtojnë dhe zëvendësojnë njëra-tjetrën. Këtë e ka thënë edhe Ukshin Hoti", ka thënë Kurti, raporton zeri.info.

Kurti duke folur për aktivitetet e Lëvizjes në vazhdimësi që nga themelimi ka përmendur fushatat kundër produkteve serbe e demonstratat që i ka zhvilluar kjo parti ndërsa i ka konsideruar si dëshmorë të rënë për liri Astrit Deharin, Mon Balajn e Arben Xheladinin.

Ai ka theksuar se Vetëvendosja është alternativa e vetme dhe se kur do të hip në pushtet do të luftojë kundër pabarazisë e do të sigurojë drejtësi, paqe e dinjitet.

Ndërsa deputeti Liburn Aliu, duke folur për aktivitetet e VV-së në fillet e saj ka thënë se kjo parti e ka pasur mision që liria të ndërtohej mbi vullnetin e qytetarëve e jo në bazë të negociatave. Ndërsa ka thënë se që prej 14 viteve ka pasur mbi 1000 arrestime.

"Ne donim që liria të ndërtohej mbi vullnetin e qytetarëve dhe jo negociatave e jo atyre bisedimeve. Tubime, aksione, deklarime e punë vullnetare zhvillohej e po ashtu dhunë e arrestime. Janë mbi 1000 arrestime në historinë e Lëvizjes. Ne po rriteshim përditë, kurse atyre po u rriteshin mjetet e dhunës", ka theksuar ai./ZERI