Ramadani: Në LDK mund të përsëritet rrahja e 2006-s

Ramadani: Në LDK mund të përsëritet rrahja e 2006-s

Aktuale June 17, 2019 - 12:46
Lexoni detajet

Procesi i brendshëm i zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka kohë që është duke u përcjellë me tensione dhe me përleshje fizike. Ndonëse për LDK-në problemet e tilla nuk po shihen si serioze, ambiciet për të parin e partisë vlerësohet se mund të sjellin edhe një “kuvend të rrahjes me karrige” siç kishte ndodhur në vitin 2006, shkruan sot gazeta "Zëri".

Analisti politik Shkodran Ramadani është shprehur për “Zërin” se nëse brenda LDK-së do të vazhdojnë mospajtimet për ndarjen e pozitave për figurat e larta politike mund të përsëritet skenari i njëjtë i zgjedhjeve të brendshme të LDK-së i vitit 2006.

“Meqenëse proceset e deritanishme zgjedhore janë përshkuar me tensione të shumta e madje janë karakterizuar edhe nga dhuna, nuk është shumë larg mendsh të mendohet për një përleshje si ajo e vitit 2006. Nëse LDK-ja nuk ka një pajtim se si do të ndahen postet për figurat e larta, atëherë ka mundësi që grupet prapa të cilave qëndrojnë figurat e caktuara politike mund të përleshen edhe në Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor”, ka thënë Ramadani.

LEXO EDHE: Rugova: Përleshjet në LDK po ia prishin imazhin partisë

Ai i ka përmendur edhe disa nga arsyet që po çojnë në çarjen e brendshme të LDK-së, ndër to mungesën e një figure unitare të LDK-së.

“Këto probleme mund të vijnë për shkak që LDK-ja viteve të fundit ka çaluar nga mungesa e një figure unifikuese politike. Arsyeja e dytë është që anëtarësia e LDK-së beson se është partia e parë në Kosovë dhe afër pushtetit, në rrethanat e tilla kur njerëzit e nuhasin se e kanë pushtetin shumë afër aty rriten ambiciet. Arsyeja e tretë besoj është mungesa e mekanizmave demokratikë brenda partisë, me të cilët mund t’i menaxhojnë dallimet mes anëtarëve. Këto elemente çojnë në çarje dhe pastaj manifestohen edhe me dhunë”, është shprehur Ramadani./ZERI