Murati: Në Kosovë kemi parë që ka pasur manovra të ndryshme politike

Murati: Në Kosovë kemi parë që ka pasur manovra të ndryshme politike

Aktuale August 14, 2019 - 11:03
Lexoni detajet

Të gjitha subjektet politike i kanë dorëzuar nënshkrimet e deputetëve për seancën e 22 gushtit 2019, kur pritet të ndodhë shpërndarja e Kuvendit. Dorëzimin e nënshkrimeve të ligjvënësve e ka konfirmuar për “Zërin” sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi, i cili ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë edhe PDK-ja i ka dorëzuar nënshkrimet e deputetëve, shkruan Gazeta 'Zëri'. 

Ndonëse ka mbetur vetëm edhe një javë deri në ditën kur do të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit, deputetët e opozitës kanë frikë se PDK-ja, siç thonë ata, ende mund të luajë lojëra politike.

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit, ka thënë për “Zërin” se subjektet politike duhet të kenë parasysh pasojat të cilat mund t’i marrin nëse bëjnë lëvizje që nuk do të përkrahen.

“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë të gjitha subjektet janë dakorduar që të deponojnë nënshkrimet për të mbajtur seancën. Në Kosovë kemi parë çdoherë që ka pasur manovra të ndryshme politike, ndaj u mbetet subjekteve politike të vendosin se çfarë rruge po dëshirojnë për qytetarët e vendit, që normalisht duhet të kenë parasysh edhe pasojat eventuale që mund t’i marrin nëse bëjnë lëvizje të cilat nuk do të përkrahen nga qytetarët”, ka thënë ai për "Zërin". 

Përndryshe, Murati ka thënë se kjo do të jetë legjislatura e tretë e cila nuk do ta përfundojë mandatin e saj, gjë e cila do të krijojë edhe probleme.

“Dëmin e madh e shkakton mendësia që e kanë subjektet politike në Kosovë, sepse kjo do të jetë legjislatura e tretë me radhë që nuk do ta përfundojë mandatin e saj kushtetues, duke krijuar edhe probleme të tjera, duke lejuar ligje të cilat veçse janë trajtuar tash e një kohë të kthehen në pikën zero. Kjo nuk mund t’i faturohet vetëm një seance të fundit, është problem i krejt sistemit politik dhe mënyrës se si subjektet politike i qasen qeverisjes, edhe si u qasen koalicioneve paraprakisht. Për momentin janë 44 ligje në procedurë, që gati e përbëjnë 31 për qind të agjendës legjislative vetëm për vitin 2019”, ka shtuar ai. /ZERI