Daçiq: Serbia do të vazhdojë me lobin për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Daçiq: Serbia do të vazhdojë me lobin për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Aktuale August 14, 2019 - 11:21
Lexoni detajet

Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se Serbia do të vazhdojë me politikë e cila ka për qëllim tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, me vërejtje se “Serbia me këtë nuk dëshiron ta irritojë as Prishtinën e as komunitetin ndërkombëtar”, por t’i mbrojë interesat e saj.

Shefi i diplomacisë serbe ka vlerësuar se thirrja e vendeve të Kuintit për Beogradin që ta ndalë fushatën për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës do të thotë se “e vërteta dhemb”.

“Pretendonin se tërheqja e njohjeve nuk është e vërtetë. Përnjëherë, u bë kusht që Prishtina t’i heqë taksat, e Serbia të ndërpresë me fushatën për tërheqje të pavarësisë. Kjo do të thotë se po dhemb, do të thotë se është e vërtetë”, ka thënë Daçiq për TV Pink.

Ai ka përmendur se kësaj kumtese të vendeve të Kuintit, megjithatë nuk duhet dhënë shumë rëndësi, sepse këto janë qëndrime të përsëritura disa herë.

“Ata po përpiqen të bëjnë një baraspeshë artificiale të përgjegjësisë, prandaj i bëjnë thirrje dyja palëve për kompromis”, ka thënë Daçiq, dhe ka pyetur “çfarë duhet të bëjë Serbia për të arritur marrëveshje”.

Ai ka pretenduar se qëndrimi që Serbia po e irriton Kosovën me fushatë për tërheqje të pavarësisë së Kosovës, është “pasqyrim i politikës së vjetër ndaj Serbisë”.

“Kjo është dëshira e tyre, që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare dhe ta njohin sa më tepër shtete, ndërsa Serbia të mos ketë asnjë rol në këtë, dhe duhet ta përshëndesë gjithë këtë”, ka thënë Daçiq.

Ai gjithashtu është i “befasuar” se në kumtesën e Kuintit, “askund nuk shkruan se nuk duhet lobuar për njohje të pavarësisë së Kosovës”./Insajderi