Të gjithë i duan zgjedhjet, frikë nga befasitë
FOTO: Zëri

Të gjithë i duan zgjedhjet, frikë nga befasitë

Aktuale August 19, 2019 - 07:46
Lexoni detajet
Image

Vetëm tri ditë na ndajnë nga seanca e ftuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa shumica e partive politike të vendit janë deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë shprehen skeptikë se shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë në këtë datë, për shkak se, sipas tyre, ndonjëra nga partitë mund të ndërrojë qëndrimin dhe potencialisht të kontribuojë në formimin e një qeverie të re teknike, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse si datë për mbajtjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është caktuar 22 gushti (e enjte), përfaqësues të partive politike dhe njohës të çështjeve politike po shprehen pesimistë mbi atë se të gjitha partitë politike janë serioze për gatishmërinë e tyre për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe pse deklarativisht të gjitha partitë, duke përfshirë edhe ato në pushtet, PDK-në, AAK-në, Nismën e AKR-në, kanë theksuar se janë pro formimit të një qeverie të re përmes votës së qytetarëve, partitë në opozitë (LDK-ja dhe LVV-ja) po vlerësojnë se një gjë e tillë mund të ndryshojë.

LEXO EDHE: Serbia nuk i bindet thirrjes së QUNT-it, mediumi serb raporton se një shtet e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Përfaqësues të këtyre dy partive thonë se është PDK-ja ajo e cila në momentin e fundit mund t’i ndërrojë qëndrimet dhe potencialisht t’i kontribuojë formimit të një qeveri të re teknike. Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se për shkak të interesave të ndryshme, mungesës së një alternative, por edhe ndikimit të bashkësisë ndërkombëtare, duke u deklaruar më të prerë rreth nevojës për mbajtjen e zgjedhjeve, shpërndarja e Kuvendit të Kosovës mund edhe të mos ndodhë më 22 gusht, shkruan tutje gazeta "Zëri"

Rrjedhimisht, sipas tyre, asnjëra nga subjektet politike në vend nuk është plotësisht e gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. 

PDK-ja s’ka alternativë tjetër pos zgjedhjeve

Duke i komentuar deklaratat e partive opozitare se PDK-ja mund ta ndërrojë qasjen sa u përket zgjedhjeve, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Memli Krasniqi, për “Zërin” ka thënë se PDK-ja nuk ka asnjë alternativë tjetër, pos rilegjimitetit të qeverisë përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Kushdo që ende e vë në dyshim shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, e bën këtë vetëm nga frika e humbjes që e pret në fund të këtij procesi. Për PDK-në nuk është e pranueshme asnjë alternative tjetër, përveç rikthimit të legjitimitetit përmes votës së qytetareve”, ka deklaruar Krasniqi.

Të njëjtën gjë e ka theksuar edhe kreu i PDK-së Kadri Veseli në një intervistë për “Zërin”, ku ka shtuar se 22 gushti është data kur Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet.

“Më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarje të Kuvendit dhe shumë shpejt do të caktohet data e zgjedhjeve të reja të parakohshme. PDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje. Nuk kam lejuar në asnjë mënyrë që unë dhe PDK-ja të bëhemi pjesë e ndonjë iniciative të re për ta arnuar vazhdimin e qeverisë, sepse besoj që institucioneve tona u duhet një legjitimitet i ri qytetar”, ka thënë Veseli.

AAK: Gjasat për qeveri teknike janë zero

Në anën tjetër deputetët nga partia e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, AAK, vlerësojnë që zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, ndërsa skenari për formimin e një qeverie teknike sipas tyre është i pamundur. Të paktën kështu deklaroi për “Zërin” deputeti i kësaj partie, Rasim Selmanaj, i cili tha se shpreson që më 22 qershor të shpërndahet Kuvendi.

“Sipas meje, gjasat për qeveri teknike janë zero dhe jam i bindur që Parlamenti shpërndahet më datën 22. Dëshiroj të besoj që me 93 nënshkrime të deputetëve për këtë seancë duhet të ndodhë dhe do të ndodhë”, ka thënë ai.

Ai theksoi se meqë 93 deputetë kanë dhënë nënshkrimet e tyre për shpërndarjen e Kuvendit, një gjë e tillë sipas tij është e pashmangshme.

“Meqenëse janë 93 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe seanca është thirrur vetëm për ta votuar marrëveshjen për fondet e IPA-së, është e vetmja pikë tjetër e rendit të ditës shpërndarja e Parlamentit. Kështu që unë besoj dhe jam i bindur që kjo do të ndodhë më 22 gusht”, ka thënë ai.

LDK-ja u frikësohet befasive të PDK-së

Ndryshe vlerëson deputeti i partisë opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, i cili për “Zërin” ka deklaruar se assesi nuk mund të anashkalohet fakti që ndonjëra nga partitë mund të ndryshojë qëndrimin dhe potencialisht të përkrahë formimin e një qeverie teknike. Sipas tij, secila parti që ndërmerr një hap të tillë nënkupton që nuk e ka përkrahjen e qytetarëve.

“Pashmangshëm që dalja nga kjo amulli politike janë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Nuk dua të besoj që një parti politike parlamentare mund t’i ikë shpërndarjes së Kuvendit dhe t’i eskivoj një vendimi të tillë. Secila parti që merr një hap të tillë tregon që nuk ka një mbështetje qytetare dhe që është e papërgatitur për zgjedhje. Dua të besoj që edhe subjektet opozitare të tjera vërtet të jenë të vendosura në këtë çështje”, ka thënë Rugova.

Ndërkohë, teksa ka theksuar se LDK-ja e përkrah opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, po ashtu ka shtuar se përpjekjet për formimin e një qeverie teknike e dëmtojnë ashpër vendin.

“Besoj që edhe partia e kryeministrit, pra AAK-ja dhe partia e z. Limajt, që është pjesë e koalicionit, do të reflektojnë, kurse nuk mund të garantoj këtë për PDK-në, sepse edhe pse lideri i saj ka filluar fushatën paraelektorale, tashmë dihen fjalimet e presidentit Thaçi, që është i afërt me PDK-në, i cili ka tentuar të bëjë përpjekje për një qeveri teknike. Çdo hap i tillë e dëmton shumë Kosovën, lë shumë procese pa ecur më tutje dhe na vë në një pozitë të palakmueshme para miqve ndërkombëtarë”, ka shtuar më tutje ai.

Beqaj: Asnjë parti nuk është e gatshme për zgjedhje

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike Belul Beqaj për “Zërin” ka deklaruar se asnjëra nga partitë në vend nuk është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, çka sipas tij e riforcon skenarin e formimit të një qeverie të re teknike dhe e ul mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Qëndroj pas vlerësimit se asnjë parti nuk është e përgatitur si dhe sa duhet për zgjedhje. LDK-ja përkohësisht i ka shtyrë përplasjet e brendshme në emër të unitetit të rrejshëm, të cilat do të shpërthejnë qysh nesër, kur të prezantohet kandidati për kryeministër dhe për poste tjera udhëheqëse. PDK-ja është në fokus të Gjykatës Speciale, ka një kryetar që s’ka arritur as 20% të detyrimeve parlamentare për t’i përmbushur, në anën tjetër po mundohet si kopje e zbehtë të dalë nga hija e ish-kryetarit Thaçi të PDK-së”, ka thënë Beqaj.

As Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, nuk po vepron drejt që po i vardiset LDK-së për një koalicion parazgjedhor.

“LVV-ja e lënduar nga ndarja ka mbetur e vetmja shpresë e parealizuar, por kryetari Albin Kurti gabimisht po i vardiset LDK-së, e cila është dëshmuar katërçipërisht jokonsistente, aq më parë kur ‘kuadrot freskuese’ janë akomoduar, të thuash plotësisht, në strofullin e Isa Mustafës. E për partitë tjera nuk vlen as të diskutohet”, ka shtuar ai.

Meqë pushteti s’ka legjitimitet, sipas Beqajt, Kosova para vetes nuk ka një alternativë adekuate. Rrjedhimisht, sipas tij, edhe shpërndarja e Kuvendit mund të mos ndodhë më 22 gusht.

“Realisht pushteti s’ka legjitimitet, por Kosova nuk ka ende alternativë adekuate. Prandaj shpërndarja e Kuvendit, për shkak të interesave të ndryshme, mungesës së alternativës, por edhe të ndikimit ndërkombëtar, mund edhe të mos ndodhë. Por nëse i kemi parasysh ambiciet pushtetofobe të atyre që e kanë sjellë Kosovën në humnerë zgjedhjet mund të ndodhin. Mua më shqetëson fakti se nuk do të ndryshojë pushtetbërja, e cila po detyron qytetarët që të kërkojnë zgjidhje jashtë Kosovës, ngase e ndiejnë veten më të rrezikuar brenda Kosovës. Nga pjesëmarrësit e njëjtë që kanë qenë në pushtet rreth 20 vjet, në përjashtim të LVV-së, befasi e konsideroj nëse nuk bëjnë befasi”, ka thënë Beqaj.

Ai ka shtuar se partitë do të vazhdojnë garat e paepura për pushtet, në vend se përmes qeverisë teknike racionalisht ta kuptojnë nevojën për ndryshime kualitative dhe të kontribuojnë në rotacion politik./ZERI