Johnson, liderëve në Kosovë dhe Serbi: Duhet sqaruar njerëzve që një marrëveshje është në interes të tyre

Johnson, liderëve në Kosovë dhe Serbi: Duhet sqaruar njerëzve që një marrëveshje është në interes të tyre

Aktuale September 12, 2019 - 10:39
Detajet

Senatori amerikan, i cili vizitoi Prishtinën dhe Beogradin javën e kaluar, tha se bllokimi i dialogut duhej të kapërcehet.

Ne duhet t’u sqarojmë qytetarëve në Kosovë dhe Serbi se një marrëveshje, e cila mund të mos u pëlqejë atyre, është në interesin e tyre më të mirë, tha senatori amerikan Ron Johnson, shkruan AlJazeera.

Johnson i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se i takon udhëheqësve në Beograd dhe Prishtinë të vendosin nëse ata mund të arrijnë një marrëveshje, raporton Tanjug, përcjell Telegrafi.

“Ajo që mund të them është se kjo është vizita ime e katërt në rajon, që jam takuar me të dy presidentët. Presidenti Vuçiq në një konferencë të përbashkët për shtyp e tha se kjo është hera e nëntë që jemi takuar. Unë kam qenë mjaft i angazhuar në këtë çështje për vitet e kaluara”, citohet të ketë thënë senatori Johnson.

Sipas tij, si Prishtina ashtu edhe Beogradi presin “udhëheqje më të madhe amerikane” në negociata.

“Unë mendoj se do t’ua ofrojmë atyre këtë, por jo në aspektin e imponimit dhe presionit, por vetëm në mbështetje të përpjekjeve të tyre dhe në krijimin e kushteve, në të cilat ata do të jenë në gjendje të mbështeten në SHBA-në dhe BE-në, pasi të arrijnë një marrëveshje”.

Ai shtoi se është e nevojshme të theksohet për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe Serbi “se një marrëveshje është në interesin e tyre më të mirë dhe se do të përfitojë shumë, për sa i përket integrimit të mëtutjeshëm në ekonominë evropiane, liri më të madhe të udhëtimit, një ekonomi më të suksesshme, sepse pasi të arrihet një marrëveshje, do ta bëjë më të lehtë tërheqjen e investimeve të huaja”.

Johnson arriti në përfundimin se kjo është pikërisht arsyeja pse ky bllokim duhet të tejkalohet, dhe theksoi se është disi një detyrë e SHBA-së dhe një detyrë e liderëve që “qytetarëve tua tregojnë jo vetëm marrëveshjen, por edhe përfitimet e saj”.