Kosova, në prag të dorëzimit për çështjen e INTERPOL-it

Kosova, në prag të dorëzimit për çështjen e INTERPOL-it

Aktuale September 17, 2019 - 08:21
Detajet
Image

Qeveria në dorëheqje ka paralajmëruar se do ta tërheqë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë - INTERPOL në qoftë se krijohet situatë e pafavorshme. Zyrtarë të kësaj Qeverie thonë se Kosova nuk dëmtohet edhe nëse tërhiqet, shkruan gazeta "Zëri".

Më pak se një muaj (15 -18 tetor) na ndajnë nga Kuvendi i Përgjithshëm i INTERPOL-it, i cili do të mbahet në Kili. Mirëpo edhe pse Kosova tashmë ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, Qeveria në dorëheqje e Kosovës po paralajmëron tërheqjen nga votimi, njëjtë sikurse kishte bërë në vitin 2017 nga frika se nuk do të arrihet të sigurohen votat e nevojshme. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë deklaruar se do ta pezullojnë votimin po qe se rrethanat nuk janë të favorshme për Kosovën. Në anën tjetër, përfaqësues të qeverisë në dorëheqje konsiderojnë se Kosova nuk dëmtohet edhe nëse tërhiqet për sivjet.

Qeveria në dorëheqje: Tërheqja nuk dëmton

Pavarësisht se INTERPOL-i tashmë ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, thotë së është mirë të shtyhet votimi. “Sa i përket INTERPOL-it, unë kam thënë edhe më herët se ne nuk do ta sfidojmë Kosovën në qoftë se rrethanat nuk janë të favorshme për arritjen e numrit të nevojshëm për anëtarësim. Besoj që vendimi do të shkojë në drejtim të pezullimit, në këto rrethana është më së e arsyeshme ta shtyjmë votimin”, ka thënë ai për mediet.

Gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe me ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme që të marrë përgjigje për këtë çështje, por asnjë nuk ka pranuar të prononcohet.

Në anën tjetër Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, njëherësh pjesëtar i qeverisë në dorëheqje, ka deklaruar për “Zërin” se tërheqja e Kosovës nga procedura e votimit për këtë vit nuk është dëmtuese. “Mendoj se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është interes strategjik i Kosovës dhe i tërë rajonit. Sidoqoftë, angazhimi në këtë duhet të jetë në koordinim të plotë me partnerët strategjikë të Kosovës. Edhe tërheqja nga procedura për vitin 2019 nuk është dëmtuese”, ka thënë Ramadani, shkruan gazeta "Zëri".

Tutje ai tha se “Në vitin 2020 Kosova dhe partnerët duhet të fillojnë një program gjithëpërfshirës që nga fillimi i vitit”.

Vështirësohet rruga drejt INTERPOL-it

Ndërkaq Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme, duke folur për gazetën “Zëri” tha se sivjet gjasat janë të vogla që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL në krahasim me vitin 2017 kur Kosova tërhoqi aplikacionin nga frika se nuk do të pranohet. “Në vitin 2017 Kosova ka pasur vota të mjaftueshme, por kjo Qeveri e ka tërhequr aplikacionin dhe ka qenë gabim i madh strategjik, i pafalshëm. Por tani gjendja ka ndryshuar, sepse janë pikërisht këto veprime të pamenduara të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Qeverisë që e kanë sjellë deri në këtë gjendje dhe tani Kosova nuk e di nëse duhet të aplikojë ose jo. Është një pasiguri e pashpjegueshme e institucioneve aktuale”, ka thënë Hyseni, i cili njëherësh ka qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme.

Hyseni tutje tha se me punën që është bërë gjasat janë shumë të vogla që Kosova këtë vit të anëtarësohet në INTERPOL. “Sipas të gjitha perceptimeve s’është bërë kurrfarë pune, prandaj nuk mund të presim edhe rezultate”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë derisa afrohet data e votimit, Qeveria e Kosovës dhe Beogradi vazhdojnë aktivitetet diplomatike në mënyrë që t’ua prezantojnë argumentet e tyre shteteve anëtare. Sipas gazetës serbe “Blic”, argumentet e Serbisë mbeten të pandryshuara, “Pranimi i Kosovës në INTERPOL do të paraqesë shkelje e mbi të gjitha të statutit të organizatës. Në statut është e qartë se një shtet, i cili nuk është anëtar në Kombet e Bashkuara e as nuk merr pjesë në punën e tyre në rolin e vëzhguesit nuk mund të jetë anëtare”, thuhet në qëndrimin e Serbisë. Kjo strategji shprehet qartë edhe me deklaratën e Rezolutës 1244, shton “Blic”. Edhe këtë vit sipas “Blic”-it në stafin që merret me pengimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL janë kryesues të Ministrisë së Jashtme, por edhe të Brendshme, duke përfshirë Zyrën për Kosovën.

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala konsideron se Kosova nuk duhet ta tërheqë aplikacionin e saj për anëtarësim në INTERPOL. “Kosova nuk duhet të tërhiqet nga procesi i anëtarësimit të INTERPOL-it, pavarësisht pengesave që paraqiten në këtë rrugë”, ka thënë ai./ZËRI