Kurti: Nesër do të takohem me Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin. Ka një paralajmërim për opozitën
Foto: Zeri

Kurti: Nesër do të takohem me Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin. Ka një paralajmërim për opozitën

Aktuale October 09, 2019 - 22:37
Detajet

Kandidati për kryeministër nga VV-ja Albin Kurti, në emisionin Opinion me Blendi Fevziun ka folur për koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas liderit të VV-së, ky takim do të ndodhë nesër, deri sa ka shtuar se bashkë do të vendosin për ministritë, përcjellë Indeksonline.

“Para se ta ndajmë qeverinë do të bashkohemi për programin dhe projektet në zotimet në fushatën zgjedhore. Të dy do të jenë në takim nesër, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani.

Unë besoj që Mustafa do të ngelet kryetar i LDK-së ndërkaq në qeverisje do të jem me Osmanin.

Ne s’do të bëjmë ndarje feudesh e klanesh në koalicion, do të jemi bashkë aty dhe do të vendosim se kush do të bëhet ministër, që do të jenë njerëz me ndershmëri pa aktakuza. Do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin e këtë do t’ia nisim nga ne”, ka thënë Kurti.

Ai tha se nuk e përjashton mundësinë e postit të presidentit që ta ketë LDK në të ardhmen. Ndërsa tregoi se ku e sheh Vjosa Osmanin në qeverisje.

“Osmanin, ajo ka dashur të bëhet kryeministre, tash duhet ta shohim planin B. Unë kam pasur bashkëpunim si koleg deputet, besoj që do të qeverisim mirë bashkë.

Kemi shanse të mira me të, besoj që qoftë ministre e punëve të jashtme qoftë krye parlamentare do t’i kryente shumë mirë”.

Lideri i VV-së, tha se nuk kanë vota për shkarkimin e presidentit Thaçi, ndërsa tha se nuk ka raporte me të.

“Raportet janë të mira, sepse nuk ekzistojnë dhe do të ekzistojnë se duhet të ma jep mandatin mua dhe më në fund të bëj edhe ai një gjë të mirë. Do të jenë raporte në mes kryeministrit dhe presidentit. Siç hoqi dorë nga kryeministria në 2014, mbase mos ta qoj mandatin si president edhe tani”.

Kurti gjithashtu tha se do të jetë pikërisht ai që do ta udhëheq dialogun me Serbinë, ndërsa nuk do të jetë arrogant me opozitën.