Haxhiu: VV dhe LDK do të qeverisin me vendin, por jo me dialogun

Haxhiu: VV dhe LDK do të qeverisin me vendin, por jo me dialogun

Aktuale October 09, 2019 - 22:52
Detajet

Për ardhjen e Richard Grenell në Kosovë si i dërguar i presidentit amerikan Donald Trump për  dialogun e Kosovës me Serbinë, foli analisti politik, Baton Haxhiu, i cili në Klan Kosova e analizoi këtë hap të ri politik.

“E para, nuk është folur fare se si do të duket marrëveshja. U tha edhe se zotëri emisar do të zbriste në Kosovë ndoshta edhe me helikopter si shenje që tregon vendosmëri, dhe e dyta, ai ka folur sot vetëm për kohen dhe jo për draftin e negociatave”.

“Koha është dhjetori-shkurti, mendoj që gjuha që mund ta ketë thënë sot, ka qenë kjo: afërsisht që mandati i tij është që të provojë ta zgjedh dhe ta zgjidhë problemin deri në fund të shkurtit ose fillimit të marsit për arsye se aty përfundon iniciativa amerikane për dialogun Kosovë-Serbi, dhe nëse nuk kryhet, besoj se SHBA tërhiqen”.

“Fjalia e tij ka qenë kështu afërsisht, d.m.th që “unë kam ardhur këtu për sukses dhe suksesin tim e kërkon Presindeti Trump, dhe nëse nuk ndodh kjo i bie qe unë tërhiqem”.

“Grenell menjëherë ka bërë disa pika diplomatike që afërsisht e përshkruajnë fuqinë e tij për të pasur sukses”, u shpreh Haxhiu.

Ai foli po ashtu edhe në lidhje me atë se kush do ta krijojë qeverinë, duke thënë se këtu nuk ka shumë opsione.

“VV dhe LDK do e bëjnë qeverinë, ekziston një akord, edhe për dy arsye tjera, se PDK dhe AAK janë pozicionuar në opozitë. Pra nuk ka zgjidhje tjetër as për LDK as për VV. Më pas dihet që sipas kushtetutës ai që i fiton më shumë votat i takon posti i kryeministrit”.

“Ajo që unë mendoj se do të ndodhë është që Vetëvendosje dhe LDK do të jetë dy parti politike që do të qeverisin me vendin, por jo me dialogun”.

“Unë jam i bindur se ata që mendojnë se do të ketë shëtitje në Bruksel për të folur për të pagjeturit, ose për kërkimfalje, etj., nuk do të ketë udhëtime në Bruksel sepse nuk ka kohë.

“E kam bindjen që këto negociata do të përfundojnë në një konferencë”.

Haxhiu u shpreh edhe në lidhje me atë se si ka ndryshime në idetë qeverisëse në mes të VV-së dhe LDK-së:

“Esenca është qe LDK-ja në çfarëdo varianti kërkon fundin me njohje, ndërkaq Vetëvendosje njohjen nuk e sheh si domosdoshmëri, por e kërkon ndërtimin e cilësisë së jetës. Por a mund të ndërtohet cilësia e jetës me këto probleme qe e ka Veriu?”

“VV ka kërkuar që ne të hyjmë në Veri menjëherë. Ka pas kërkesë ndaj kryeministrit ‘pse s’e dërgoni policinë dhe ushtrinë në Veri’, dhe  një kryeministër qe vjen tash, se si do të gjendet LDK-ja ndaj kësaj?”, përfundoi Haxhiu.