'LDK-ja të mos e kërkojë pozitën e kryeministrit, i takon LVV-së'

'LDK-ja të mos e kërkojë pozitën e kryeministrit, i takon LVV-së'

Aktuale October 10, 2019 - 11:31
Detajet

Profesori Universitar Milazim Krasniqi, në intervistë për "Zërin", ka folur rreth koalicionit të mundshëm paszgjedhor mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij LDK-ja nuk duhet të kërojë pozitën e kryeministrit, kjo pasi që sipas tij kjo pozitë i takon Vetëvendosjes.

LEXO EDHE: Krasniqi: Ashpërsia e Osmanit, gabimi strategjik i LDK-së

Zëri: Sa besoni se mund të ketë një koalicion paszgjedhor mes LVV-së dhe LDK-së?

Krasniqi: Besoj se ka qenë gabim strategjik i LDK-së hapja e diskutimeve për koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen. LDK-ja është dashur ta luante lojën që të çonte mesazhin se ajo është partia kryesore, është fituese dhe nuk ka nevojë të bëjë koalicion me askënd, ndërsa ata luajtën lojë deri në minutën e fundit, ashtu që LVV-ja krijoi një epërsi morale dhe psikologjike se gjoja ata po duan koalicion, kurse LDK-ja po e refuzonte atë. Pikërisht kjo gjë një pjesë të elektoratit të pavendosur e ka shtyrë të shkojë drejt Vetëvendosjes me idenë që po këta po duan bashkëpunim, këta janë të mirë, ndërsa problemi është te LDK-ja. Me këtë rezultat të zgjedhjeve rruga për krijimin e një koalicioni është e hapur. LDK-ja dhe LVV-ja mund të arrijnë koalicion fare lehtë, ata i kanë 61 deputetë, pra mund ta formojnë Qeverinë me shumicë shqiptare dhe plus me minoritetin joserb, që janë 10 dhe në total bëjnë 71 deputetë. Ata pra me lehtësi mund ta formojnë Qeverinë, varet vetëm a kanë vullnet dhe varet se si menaxhohet procesi i negociatave, por pengesa më nuk kanë. PDK-ja është shpallur se shkon në opozitë, AAK-ja nuk ka numra të mjaftueshëm për t’i ndryshuar matematikat, kështu që zgjidhja e vetme tash për tash është koalicioni LVV dhe LDK, besoj që është korrekte nga LDK-ja ta pranojë faktin që Albin Kurti do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë, sepse ai është fitues i zgjedhjeve. Ata mund ta rrisin pazarin në kërkesat për ministri, por nëse pretendojnë marrjen e kryeministrit, ajo do të ishte një pafytyrësi politike, sepse në fakt ata nuk e meritojnë këtë pozitë se nuk i kanë fituar zgjedhjet.