KQZ-ja hap kutitë e votave, nis rinumërimin në 314 vendvotime

KQZ-ja hap kutitë e votave, nis rinumërimin në 314 vendvotime

Aktuale October 10, 2019 - 17:06
Detajet

Në këto momente ka filluar rinumërimi sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë ditës së mërkurë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për rinumërimin e 314 vendvotimeve, raporton “Zëri.info”.

10 nga këto vendvotime do të rinumërohen plotësisht për shkak se gjatë hetimeve në QNR është gjetur se mungojnë votat e kandidatëve dhe mungojnë disa fletë të formularëve të rezultateve, dhe në disa prej tyre mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të Këshillit të Vendvotimit, ndërsa 304 vendvotime të tjera do të rinumërohen po ashtu plotësisht, për shkak të një gabimi teknik në formularin e rezultateve të subjekteve politike, që ka bërë që votat e subjekteve të mos shënohen në rubrikën përkatëse dhe si rrjedhojë kemi mospërputhje në mes të votave të subjekteve dhe të kandidatëve.

Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është shprehur se ky organ ka vendosur për rinumërim me qëllim të qartësimit dhe prezantimit të gjendjes së saktë të kutive të votimit.

“Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve saktësia e procesit është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, në mënyrë që çdo votë të respektohet. Sa për të informuar dhe qytetarët – procedura e QNR-së është e tillë që nuk lejon asnjë Formular të Rezultateve të kalojë (të procedohet si i rregullt) nëse nuk përputhen votat e subjekteve me votat e kandidatëve. Kjo do të thotë se nëse subjekti politik nuk ka vota dhe kandidatët kanë vota apo anasjelltas, atëherë formulari nuk procedohet si i rregullt dhe shkon në auditim”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Elezi thotë se gjatë auditimit kontrollohen të gjitha këto raste dhe mbi bazën e të gjeturave nga auditimi, QNR-ja rekomandon KQZ-në që vendvotimet të cilat kanë probleme të kësaj natyre të rinumërohen. Kështu ka ndodhur edhe në proceset e kaluara zgjedhore, ku janë rinumëruar me qindra vendvotime me qëllim të korrektimit të lëshimeve që janë bërë në vendvotim.

Vendvotimet që do të rinumërohen i përkasin këtyre komunave:

Deçan 14, Gjakovë 14; Gllogoc 16; Gjilan 1; Dragash 4; Istog 1; Kaçanik 15; Klinë 14; Fushë Kosovë 2; Kamenicë 4; Mitrovicë e Jugut 10; Leposavic 1; Lipjan 1; Novobërdë 3; Obiliq 5; Rahovec 14; Pejë 17; Podujevë 17; Prishtinë 42; Prizren 26; Skënderaj 13; Shtime 6; Shtërpcë 3; Suharekë 13; Ferizaj 17; Viti 17; Vushtrri 6; Zubin Potok 1; Malishevë 9; Junik 3; Han i Elezit 2; Graçanicë 2, Ranilluk 1./Zëri