BE: Shqipëria dhe Maqedonia i kryen detyrat, vendimi merret në 2020-n

BE: Shqipëria dhe Maqedonia i kryen detyrat, vendimi merret në 2020-n

Aktuale October 23, 2019 - 07:59
Lexoni detajet!
Image

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, në një përgjigje dhënë “Zërit” ka deklaruar se ndonëse Shqipëria dhe Maqedonia i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja, përsëri sipas saj shtetet anëtare të BE-së dështuan të unifikohen për t’i hapur negociatat për anëtarësim të këtyre dy shteteve. Mirëpo ajo ka theksuar se BE-ja do të vazhdojë të përkrahë fuqishëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dështimi i hapjes së negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut e ka rritur skepticizmin te shtetet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë anëtarësimin në BE, duke përshirë këtu edhe Kosovën.

LEXO EDHE: Dialogu me Serbinë, temë e takimit LVV - LDK

Mirëpo zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, në një përgjigje dhënë “Zërit” ka deklaruar se integrimi i Ballkanit Perëndimor do të jetë prioritet i BE-së dhe i shteteve anëtare të saj.

“Angazhimi ynë ndaj perspektivës së BE-së për Ballkanin Perëndimor nuk do të ndryshojë. Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor mbetet një politikë e rëndësishme strategjike, që është në interes të të dyja palëve. Prandaj për këtë arsye BE-ja do t'i rikthehet kësaj çështjeje para Samitit të liderëve të BE-së, që do të mbahet në Zagreb në maj të vitit 2020”, ka thënë ajo për "Zërin".

Kocijançiq e ka pohuar se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kishin plotësuar të gjitha kriteret e dhëna nga BE-ja, mirëpo sipas saj shtetet anëtare nuk arritën të unifikohen sa i përket hapjes së bisedimeve për këto dy vende.

“Këshilli Evropian nuk arriti të pajtohej për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, dy nga partnerët tanë kryesorë në Evropën Juglindore, vendet kandidate që nga 2005-a dhe 2014-a. Një vendim për të filluar bisedimet e pranimit kërkon unanimitet midis shteteve anëtare të BE-së dhe pavarësisht një diskutimi të gjatë dhe të thellë nuk kishte asnjë unanimitet në Këshillin Evropian për këtë çështje. Ne e kuptojmë zhgënjimin e thellë në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Të dy shtetet bënë atë që ne u kërkuam të bënin”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Kocijançiq: Shqipëria dhe Maqedonia bënë përpjekje të pashembullt në rrugën evropiane

Edhe pse Bashkimi Evropian nuk ia dha dritën e gjelbër Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiq, ndër të tjera ka deklaruar se të dyja shtetet treguan shembull të pashoq në rrugën e tyre drejt BE-së.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bënë përpjekje të pashembullt drejt reformave të kërkuara drejt rrugës së tyre evropiane. Reforma e thellë gjyqësore e Shqipërisë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të saj për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar janë hapa themelorë drejt forcimit të sundimit të ligjit në vend. Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut ka qenë e angazhuar në luftimin e korrupsionit, të mosndëshkueshmërisë dhe ka bërë përpjekje të mëdha në reformimin e administratës publike të saj. Po ashtu nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës ishte një arritje vërtet e jashtëzakonshme për të gjithë rajonin”, ka potencuar ajo.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, Kocijançiq theksoi se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë ende punë për të bërë dhe se qytetarët e kësaj zone presin rezultate konkrete.

“Reformat e BE-së po ndihmojnë transformimin në vendet e rajonit dhe po sjellin përfitime konkrete për qytetarët. Mirëpo duhet të bëhet shumë më tepër. Kjo është e qartë për të gjithë në rajon dhe për BE-në. Qytetarët e këtyre shteteve të rajonit presin që agjendat e reformave të plotësohen me vendosmëri. BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe të mbështesë tërë rajonin në rrugën e tyre drejt BE-së”, ka thënë më tutje ajo.

Fetoshi: Integrimi ose jo i Ballkanit shpërfaq politikën reale të BE-së

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, për “Zërin” ka thënë se vendimi i BE-së për të mos i hapur negociatat e anëtarësimit Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore është një gabim strategjik i BE-së, i cili mund të prodhojë pasoja të dyanshme.

“Mosarritja e unanimitetit evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut është gabim strategjik i BE-së me pasoja të dyanshme. Nga njëra anë, mund të krijojë terren më të përshtatshëm për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe të Turqisë, duke e dëmtuar seriozisht orientimin perëndimor të rajonit dhe nga ana tjetër, ta mbajë pezull konsolidimin e brendshëm të BE-së, për shkak të rëndësisë determinuese të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian”, ka thënë Fetoshi.

E sipas tij, hezitimi për këtë proces i shteteve si Franca dhe Holanda shpërfaq mosdakordimet brenda BE-së sa i përket integrimit të vendeve të reja.

“Duke pasur parasysh se hapja e negociatave nuk nënkupton anëtarësimin, por një proces të gjatë e kompleks të reformave të kontrolluara, hezitimi francez dhe holandez, përveçqë dëshmon për probleme serioze sa i përket të ardhmes së BE-së, reflekton edhe pikëpamjen e tyre lidhur me integrimin si koncept. Pikërisht këto vende e patën dështuar projektin e kushtetutës evropiane në vitin 2005 dhe vazhdimisht kanë mbajtur qëndrim më të ashpër sa i përket zgjerimit”, ka thënë ai.

Rrjedhimisht, sipas Fetoshit, integrimi ose jo i plotë i Ballkanit në BE do të jenë provë për ta dëshmuar karakterin real të politikës së BE-së.

“Ideali për Evropën e bashkuar nuk do të jetë i përmbushur pa integrimin e plotë të Ballkanit në BE, ndërsa Ballkani Perëndimor e në veçanti shqiptarët mendoj se janë gur prove për karakterin e vërtetë të BE-së politike. Megjithatë, sa i përket rastit konkret, kjo s’do të thotë se faji është tërësisht te BE-ja, për shkak se asnjëra nga këto vende dhe as të tjerat nuk është se kanë bërë ndonjë progres të jashtëzakonshëm sa u përket reformave të kërkuara. Kjo vlen edhe për Kosovën, pavarësisht se liberalizimi u përdor asokohe si karrem për Demarkacionin me Malin e Zi”, ka potencuar ai.

Qasja e padrejtë e BE-së kundrejt Ballkanit Perëndimor

Në anën tjetër, eksperti i integrimeve Besnik Vasolli për “Zërin” ka deklaruar se moshapja e negociatave për anëtarësim për Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore po konsiderohet e padrejtë, pasi të dyja vendet kishin ndërmarrë reforma konkrete, që ishin konfirmuar edhe nga Komisioni Evropian.

“Kjo qasje konsiderohet si e padrejtë, pasi që Maqedonia Veriore ndërmori reforma konkrete, siç ndërmori edhe Shqipëria e kjo u konfirmua edhe nga Komisioni Evropian. Po ashtu fakti që procesi i negociatave do të zgjasë disa vite dhe anëtarësimi nuk është i garantuar është element shtesë pse do të duhej filluar negociatat me këto dy shtete. Impulsi që i tërë Ballkani Perëndimor do ta merrte do të ishte më se i rëndësishëm për të vazhduar reformat e nevojshme dhe për të mbajtur kredibilitetin e BE-së”, ka thënë Vasolli.

Ndonëse kanë ende punë për të bërë, sipas Vasollit, Shqipëria dhe Maqedonia do duheshin të shpërbleheshin nga BE-ja për progresin e bërë.

“Në fakt, këto dy shtete kishin progres, por nuk zbatuan të gjitha kriteret siç ishte kërkuar. Sidoqoftë, zbatimi ishte meritor dhe do të duhej edhe të shpërbleheshin për punën e bërë. Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, si dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve të BE-së, por edhe të shteteve anëtare të BE-së, u befasuan nga kjo qasje dhe ishin shumë kritikë”, ka potencuar ai.