Fetoshi: Integrimi ose jo i Ballkanit shpërfaq politikën reale të BE-së

Fetoshi: Integrimi ose jo i Ballkanit shpërfaq politikën reale të BE-së

Aktuale October 23, 2019 - 10:29
Detajet

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, në një përgjigje dhënë “Zërit” ka deklaruar se ndonëse Shqipëria dhe Maqedonia i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja, përsëri sipas saj shtetet anëtare të BE-së dështuan të unifikohen për t’i hapur negociatat për anëtarësim të këtyre dy shteteve. Mirëpo ajo ka theksuar se BE-ja do të vazhdojë të përkrahë fuqishëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, shrkuan sot gazeta "Zëri".

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, për “Zërin” ka thënë se vendimi i BE-së për të mos i hapur negociatat e anëtarësimit Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore është një gabim strategjik i BE-së, i cili mund të prodhojë pasoja të dyanshme.

LEXO EDHE: BE: Shqipëria dhe Maqedonia i kryen detyrat, vendimi merret në 2020-n

“Mosarritja e unanimitetit evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut është gabim strategjik i BE-së me pasoja të dyanshme. Nga njëra anë, mund të krijojë terren më të përshtatshëm për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe të Turqisë, duke e dëmtuar seriozisht orientimin perëndimor të rajonit dhe nga ana tjetër, ta mbajë pezull konsolidimin e brendshëm të BE-së, për shkak të rëndësisë determinuese të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian”, ka thënë Fetoshi.

E sipas tij, hezitimi për këtë proces i shteteve si Franca dhe Holanda shpërfaq mosdakordimet brenda BE-së sa i përket integrimit të vendeve të reja. “Duke pasur parasysh se hapja e negociatave nuk nënkupton anëtarësimin, por një proces të gjatë e kompleks të reformave të kontrolluara, hezitimi francez dhe holandez, përveçqë dëshmon për probleme serioze sa i përket të ardhmes së BE-së, reflekton edhe pikëpamjen e tyre lidhur me integrimin si koncept. Pikërisht këto vende e patën dështuar projektin e kushtetutës evropiane në vitin 2005 dhe vazhdimisht kanë mbajtur qëndrim më të ashpër sa i përket zgjerimit”, ka thënë ai.

Rrjedhimisht, sipas Fetoshit, integrimi ose jo i plotë i Ballkanit në BE do të jenë provë për ta dëshmuar karakterin real të politikës së BE-së.

LEXO EDHE: Dialogu me Serbinë, temë e takimit LVV - LDK

“Ideali për Evropën e bashkuar nuk do të jetë i përmbushur pa integrimin e plotë të Ballkanit në BE, ndërsa Ballkani Perëndimor e në veçanti shqiptarët mendoj se janë gur prove për karakterin e vërtetë të BE-së politike. Megjithatë, sa i përket rastit konkret, kjo s’do të thotë se faji është tërësisht te BE-ja, për shkak se asnjëra nga këto vende dhe as të tjerat nuk është se kanë bërë ndonjë progres të jashtëzakonshëm sa u përket reformave të kërkuara. Kjo vlen edhe për Kosovën, pavarësisht se liberalizimi u përdor asokohe si karrem për Demarkacionin me Malin e Zi”, ka potencuar ai./ZËRI