Përfundon takimi LVV-LDK, këto janë temat që u diskutuan 
Foto: Laura Hasani

Përfundon takimi LVV-LDK, këto janë temat që u diskutuan 

Aktuale October 23, 2019 - 16:52
Detajet

Para pak minutash ka përfunduar takimi i grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së, me ç’rast pjesëmarrësit e takimit kanë bërë të ditura temat që janë diskutuar gjatë ditës së sotme, raporton zeri.info. 

Lumir Abdixhiku, përfaqësues i LDK-së në ekipin punues, ka thënë se të dy subjektet janë marrë vesh sot për koordinimin e agjendës për 14 ditët e ardhshme. 

“Njëjtë sikur në takimin e parë, ky takim u zhvillua në fyrmë shumë pozitive, me përafrim të qëndrimeve mes dy subjekteve politike. Ne sot e dakorduam agjendën e takimeve për dy javët e ardhshme. Kjo agjendë synon të orientohet drejt temave të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, të arsimit, shëndetësisë, rendit e ligjit dhe politikës së jashtme”, deklaroi ai. 

Abdixhiku më tej tha se sot në veçanti është folur rreth konstruktimit të qeverisë së ardhshme. 

“Në veçanti sot kemi diskutuar për formatin e qeverisë së ardhshme, për 12 ministritë, se si do të fuzionohen në ditët e para të qeverisë. Takimi i ardhshëm mbahet të hënën në orën 15:00 në zyret e LDK-së dhe çdo tri ditë pas çdo takimi do të ketë takime vijuese mes dy subjekteve politike”, ka shtuar ai. 

I pyetur nëse është diskutuar për emra konkretë, Abdixhiku ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në takimin e së mërkurës. 

“Në këtë fazë nuk kemi qasje të diskutimit të emrave konkretë, pra për dallim prej negociatave të kaluara ne synojmë të flasim për tema, për çështje të rëndësishme për Kosovën, për zhvillim ekonomik, arsim shëndetësi, rend e ligj dhe për formatin e qeverisë”, ka potencuar ai. 

Për një gjë të tillë sipas tij do të vendosin liderët e dy subjekteve. 

“Pastaj do të jenë liderët e dy partive politike që në bazë të propozimeve të dy grupeve punuese do ta bëjnë marrëveshjen finale. Do të jetë në diskrecion të tyre përcaktimi i emrave dhe ministritë përkatëse për secilin subjekt. Në këto nivele nuk i diskutojmë këto gjëra”, ka shtuar Lumir Abdixhiku. /Zeri