Kuvendi i ri tani e ka vetëm një milioner me letra

Kuvendi i ri tani e ka vetëm një milioner me letra

Aktuale November 07, 2019 - 16:46
Detajet

Legjislatura VII e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të ketë në përbërje vetëm një milioner. Bëhet fjalë për ish-Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn. Sipas regjistrit për deklarimin e pasurisë të publikuar në AKK, vlera e pasurisë së Lekajt shkon në mbi 1 milion euro. Ndërkohë, milionerët Gani Dreshaj e Xhavit Haliti nuk kanë arritur që të sigurojnë ulëse këtë herë

Qytetarët e vendit nuk u kanë dhënë mbështetje milionerëve në këto zgjedhje. Shumica e atyre që ishin pjesë e legjislaturës së kaluar nuk kanë arritur që të sigurojnë vota mjaftueshëm për t’u ulur sërish në Kuvend.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, i vetmi milioner që ka arritur të fitojë mandatin e deputetit është ish-Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili ka marrë 10 mijë e 351 vota.

Vetëm një tokë që e ka në pronësi, Pal Lekajn e bën milioner. Vlera e kësaj toke kap një vlerë prej 1.5 milion euro.

I pari i Ministrisë së Infrastrukturës ka deklaruar se ka në pronësi një tokë që kushton 1 milion e 500 mijë euro, dhe një shtëpi që kap shifrën e 350 mijë euro.

Në regjistrin e pasurisë, ai ka deklaruar se ka në pronësi edhe dy vetura që thotë se i ka trashëguar nga familja. Njëra është e llojit Mercedes (2009), që kushton 13 mijë e 500 euro, derisa tjetra është e llojit BMW 525 F10 (2012), që ka vlerë 18 mijë euro.

Para të gatshme ai vetë nuk ka, ndërkohë bashkëshortja e tij ka 3 mijë e 600 euro para të gatshme dhe fëmijët e tij rreth 10 mijë euro.

Por, Lekaj ka detyrime financiare në vlerë mijëra euro. 75 mijë euro është shuma e borxhit që ai ka ndaj bankave. Ndërkohë, të hyra vjetore kishte deklaruar vetëm pagën si Ministër i Infrastrukturës, përkatësisht 22 mijë euro.

Por, fatin e Lekajt nuk e kanë pasur milionerët e tjerë. Ata nuk kanë arritur që të marrin besimin e qytetarëve edhe për një mandate.

Në mesin e milionerëve që kanë mbetur jashtë Kuvendit është edhe ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, milioneri Xhavit Haliti.

Haliti gjatë një interviste në “Rubikon me Adriatik Kelmendin”, kishte deklaruar se në Kosovë të gjithë i kanë ka 2-3 milionë euro.

“2-3 milionë edhe ti i ke, tanë kemi kapak”, kishte deklaruar derisa po fliste për paratë e fondit të 3%.

Por, bazuar në regjistrin për regjistrimin e pasurisë, del që Xhavit Halilit s’i ka as 2 milionë.

Sipas deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasuria e Xhavit Halitit, dukë përfshirë edhe pasuritë në pronësi të përbashkët shkon në 1.2 milion euro.

Ai ka deklaruar dy shtëpi familjare, që janë në pronësi të përbashkët. Secilën prej tyre e ka vlerësuar nga 200 mijë euro.

Haliti ka deklaruar edhe një banesë prej 94 metra katror, të blerë në vitin 2000, me vlerë prej 200 mijë euro, e që është në emër të tij.

Nënkryetari i Kuvendit, ka deklaruar edhe 4 hektarë tokë të trashëguar e që thotë se është në pronësi të përbashkët me vlerë prej 400 mijë euro. Ai ka deklaruar edhe 4 hektarë tokë të tjera që thotë se kapin vlerën prej 20 mijë euro.

Haliti dhe bashkëshortja e tij posedojnë edhe stoli ari. Vlera e tyre është 25 mijë euro, për të cilat deklarojnë se janë përfituar në vitin 1985.

Ai posedon edhe një veturë që kushton 5 mijë euro, derisa si para “cash”ka deklaruar se posedon 132 mijë e 700 euro.

Paga vjetore e Xhavit Halitit është 29 mijë e 708 euro, si dhe ka deklaruar 5 e 299 euro mëditje për këtë vit.

As deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ish kandidati për kryetar të Istogut, milioneri Gani Dreshaj, nuk ka arritur që të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Në regjistrin e pasurisë, ai ka deklaruar se bashkë me familjen ka pasuri në vlerë mbi 85 milionë euro.

Vetëm pasuria e paluajtshme që ai ka në pronësi vlerësohet të jetë 41 milionë e 266 mijë euro, ndërsa kapitali i bizneseve të tij dhe të familjes shkon në 44 milionë e 400 mijë euro.

Në pronat e paluajtshme që Dreshaj i posedon, vlera më e madhe e tyre është nga pronat e privatizuara brenda viteve 2005-2006, përkatësisht 34 milionë e 893 mijë.

Por, pavarësisht se është milioner, Dreshaj ka edhe borxhe. Ai ka deklaruar se i ka dy borxhe ndaj personave fizikë që kapin shifrën e 620 mijë euro.

Gjysmë milioni euro apo 500 mijë euro thotë t’ia ketë marrë borxh një personi për blerjen e 20% të aksioneve në “Getrinke-Vrella” shpk, derisa 120 mijë euro tjera thotë se i ka marrë hua për blerjen e hapësirave për banim në qytetin e Istogut.

Bashkëshortja e Gani Dreshajt është në kredi 443 mijë euro për 10 vite. Sipas Dreshajt kjo kredi ishte marrë për blerje të një banese.

Paga vjetore e Dreshajt si deputet kap shifrën e 20 mijë e 155 eurove, ndërsa ai merr edhe 473 euro mëditje. Ndërsa për bashkëshorten e tij, Dreshaj ka deklaruar se merr 1 milion e 50 mijë euro të ardhura në vit nga bizneset familjare.

Në listën e milionerëve që ka Kosova gjendet edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Kuvendit këtë vit do t’i mungojë edhe biznismeni Ramiz Kelmendi.

Kelmendi në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka dy shtëpi në vlerë prej 230 mijë euro, dhe dy toka që kushtojnë 45 mijë euro.

Por, Kelmendin milioner e bën kompania e tij “Elkos”. Vlera e aksioneve që ai ka në këtë kompani sillet në mbi 120 milionë euro.

Kelmendi ka vetëm rreth 3 mijë euro të kursyera në bankë, derisa nuk ka asnjë detyrim financiar.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 80 mijë euro, që ai i merr nga Kuvendi i Kosovës dhe “Elkos”, ndërsa të hyrat e bashkëshortes janë rreth 48 mijë euro në vit.

Ndryshe, zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Fituese e këtyrë zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.