PZAP-i vërshohet nga ankesat e kandidatëve dhe të partive
Foto: Laura Hasani

PZAP-i vërshohet nga ankesat e kandidatëve dhe të partive

Aktuale November 09, 2019 - 07:49
Detajet

Image

 

Pasi KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare subjektet politike kanë dërguar në PZAP 100 ankesa rreth rezultatit. Njohësit e çështjeve politike thonë se nëse këto ankesa janë të argumentuara mirë PZAP-i e Gjykata Supreme do të çojnë në rinumërim total. Mirëpo këtë mundësi e përjashton LVV-ja, shkruan sot gazeta "Zëri".

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar 100 ankesa nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Kështu ka bërë të ditur për gazetën zëdhënësi i PZAP-it Mul Desku, i cili tha se ankesat janë kryesisht të kandidatëve, por ka edhe të subjekteve. Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike thonë se nëse këto ankesa janë të bazuara dhe të argumentuara mirë PZAP-i e Gjykata Supreme do të çojnë në rinumërim të tërësishëm. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar se s’mund të ketë rinumërim total, pasi nuk ka asnjë bazë për kërkesa të tilla. Ata janë shprehur për “Zërin” se më së largu brenda 8 ditësh do të ketë certifikim të rezultateve.

Në PZAP 100 ankesa nga subjektet e kandidatët

Nga dita e djeshme, kur edhe është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dorëzuar 100 ankesa nga partitë politike dhe kandidatët për deputetë, kështu ka njoftuar kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku. Ai për gazetën “Zëri” tha se deri më tani me ankesa prin Partia e Pavarur Liberale (SLS) me gjithsej 42 ankesa, derisa për nga numri i ankesave e dyta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës, me gjithsej 23 ankesa. “Deri më tani janë dorëzuar në PZAP gjithsej 100 ankesa nga subjektet politike dhe nga kandidatët e tyre. SLS-ja ka dorëzuar më së shumti ankesa - 42, LDK-ja ka dorëzuar 23, PDK-ja ka dorëzuar 12 ankesa, koalicioni Nisma - AKR - PD ka dorëzuar 6 ankesa, Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa, një parti tjetër serbe - PKS ka dorëzuar 4 ankesa dhe disa parti të vogla dy ose një ankesë”. Ai ka shtuar se natyra e ankesave ndërlidhet me mospërputhje të rezultateve, derisa ka sqaruar se për nga numri i ankesave prijnë kandidatët. “Kryesisht kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve, mospërputhjen e rezultateve. Ka ankesa të subjekteve, por ka edhe të kandidatëve. Për shembull te SLS-ja të gjitha ankesat – 42, janë prej vetë subjektit, te Nisma ka edhe të subjektit, edhe të kandidatëve, kurse pjesa tjetër mund të themi se është e kandidatëve”, deklaroi ai.

Sekretari i PZAP-it tha se Paneli Zgjedhor ka kohë 72 orë që t’u japë përgjigje palëve të ankuara. Pas pranimit të vendimit nga PZAP-i subjektet politike që janë sërish të pakënaqura kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve. “Paneli është i obliguar që brenda 72 orëve të shqyrtojë, të vendosë dhe të marrë vendime, me vendime t’i njoftojë palët. T’u përgjigjet palëve brenda 72 orëve, ndërsa ndaj vendimeve të PZAP-it kushdo që është i pakënaqur mund t’i kundërshtojë ato në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve”, u shpreh Desku.

Analistët: S’përjashtohet mundësia për rinumërim të tërësishëm

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka thënë se procesi i numërimit e i monitorimit ka kaluar mjaft në detaje. Sipas tij, janë trajtuar të gjitha dhe procesi është shteruar në kuptimin juridik dhe ligjor. Sipas tij, gjithçka varet nga ankesa e Nismës. “Mbetet të shihet ankesa e Nismës dhe e kandidatëve për deputetë. Mendoj që procesi është i pacenueshëm dhe mendoj që tani në këtë fazë me të drejtë ankesat bëhen dhe shpresoj të trajtohen sa më shpejt e të bëhet certifikimi sa më shpejt”. Baraliu tha se ka gjasa të vonohet certifikimi nëse ka kërkesa për rinumërim të tërësishëm. Sipas tij, nëse ka prova të mjaftueshme mund të shkohet në rinumërim total. “Ka gjasa të vonohet certifikimi nëse ka shumë kërkesa për rinumërim dhe për rinumërim të tërësishëm. Nëse PZAP-i sheh se ka prova, atëherë mund të urdhërojë rinumërim edhe në qendra të tjera, përveç atyre që janë rinumëruar”, ka thënë ai.

Ndërkohë, menjëherë pas shpalljes së rezultateve Nisma Socialdemokrate u deklarua se do t’i shfrytëzojë të gjitha instancat ligjore dhe kushtetuese për ankimim.

Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se ankesa e Nismës është shkelje ligjore dhe jo kushtetuese. “Kjo që po kërkon Nisma është shkelje ligjore, nuk është shkelje kushtetuese. PZAP-i ka 72 orë nga momenti që merr një ankesë ta trajtojë. Pasi të shpallet vendimi, 24 orë kohë ka pastaj pala që ta dërgojë në Supreme, e cila ka 72 orë kohë për të vendosur”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Spahija tha se vonesat për certifikim varen nga vendimi që do të sjellë PZAP-i ose Gjykata Supreme lidhur me ankesat. Ndërkaq i pyetur se a ka gjasa të shkohet në rinumërim të tërësishëm, Spahija tha se ka gjasa. Sipas tij, e gjitha varet nga ankesa e subjektit politik. “Nëse subjekti politik ka arritur ta dëshmojë para PZAP-it, atëherë edhe PZAP-i s’ka si të vendosë ndryshe përpos rinumërim total”, është shprehur ai.

LVV: S’mund të ketë rinumërim të tërësishëm, në fundjavën e ardhshme bëhet certifikimi

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, ka thënë për gazetën se nuk ka gjasa të ketë rinumërim të tërësishëm të votave, pasi deri tani KQZ-ja ka evidentuar të gjitha parregullsitë që ka pasur. “Jo, nuk ka asnjë bazë për kërkesa të tilla për rinumërime në masë të madhe. Të gjitha mospërputhjet që mund të ekzistojnë janë evidentuar dhe KQZ-ja i ka trajtuar, madje ishte miratimi i vet PZAP-it për rinumërim të tërësishëm që e ka refuzuar”. Rrustemi tha se mund të ketë ankesa të kandidatëve për deputetë që mund ta vonojnë certifikimin, mirëpo assesi rinumërim të tërësishëm.

“Pres të ketë ankesa të kandidatëve për ndonjë gabim, mirëpo nuk pres në asnjë mënyrë të ketë rinumërim të tërësishëm. Për këtë duhet të paraqiten fakte dhe argumente dhe e them me përgjegjësi profesionale se nuk ka vend për kërkesa të tilla. Unë pres që KQZ-ja sa më parë t’i trajtojë këto çështje dhe t’i certifikojë rezultatet”, ka potencuar ai.

Më tutje ai tha se më së largu certifikimi i rezultateve mund të bëhet në fundjavën e ardhshme. “Pak a shumë brenda 8 ditësh më së largu duhet të trajtoheshin të gjitha ankesat, në ndërkohë unë pres që në fundjavën e ardhshme më së largu të kemi certifikimin e rezultateve”./ZËRI