Në Kosovë fillon “Java Globale e Ndërmarrësisë”

Në Kosovë fillon “Java Globale e Ndërmarrësisë”

Aktuale November 19, 2019 - 08:33
Detajet
Image

“Java e Ndërmarrësisë Globale” ka filluar dje në 180 shtete të botës me mbi 10 milionë pjesëmarrës. Kjo javë do të shënohet edhe në Kosovë, ku do të organizohen 80 aktivitete dhe pjesëmarrëse do të jenë 60 organizata. Hapja e kësaj jave në Kosovë është bërë dje nga Qendra e Inovacionit të Kosovës së bashku me Odën Ekonomike Amerikane.

Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së, para të pranishmëve tha se për shtatë vjet kjo qendër ka arritur t`i bashkojë rreth 60 organizata, shkruan sot gazeta Zëri

“Sot shtatë vjet jemi diku rreth 60 organizata të bashkuara për të njëjtin mision fisnik, ndonëse jemi në kushte edhe më të vështira për shkak të rrethanave në të cilat gjendemi”. Sipas tij, për ndërmarrësit e rinj në Kosovë ka ende barriera. Begu këtu përfshiu edhe lëvizjen e lirë. “Shtatë vjet më parë nuk e kemi menduar që nuk do ta kemi lëvizjen e lirë dhe shumë barriera tjera, që i sfidojnë sidomos ndërmarrësit e rinj, por edhe ata që kanë synim rritjen. Bashkimi i forcave sidomos të organizatave, të partnerëve dhe të bizneseve na bën të besojmë që ky vend dhe rajoni në përgjithësi ka një të ardhme të ndritur. Kjo nëse investojmë në atë që të rinjtë besojnë”, ka thënë më tutje ai.

Në nivel botëror shënimi i kësaj jave pritet t’i grumbullojë mbi dhjetë milionë pjesëmarrës në gjithsej 180 shtete. “‘Java Globale e Ndërmarrësisë’ sot fillon në 180 shtete. Pritet t’i ketë diku mbi dhjetë milionë pjesëmarrës. Jemi shumë krenarë që si Kosovë jemi në vitin e shtatë që e shënojmë këtë javë. Gjatë javës kemi mbi 80 aktivitete në të gjithë Kosovën”, bërë të ditur drejtori ekzekutiv i ICK-së.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), ka thënë që numri i aktiviteteve për “Javën Globale të Ndërmarrësisë” është rritur ndër vite. “Më vjen mirë që jemi partnerë me ICK-në, që për vite me radhë organizojmë aktivitete në kuadër të ‘Javës Globale të Ndërmarrësisë’. E di se 3 vjet më parë kemi pasur numrin më të madh të aktiviteteve. Vitin e kaluar i kemi pasur 6 aktivitete. Kemi synuar ta kalojmë këtë rekord. Këtë vit i kemi 14 aktivitete përgjatë tërë javës”. Sipas tij, qëllimi i organizimit të kësaj jave është shpërndarja e historive të suksesit. Zeka pohoi që fokusi do të jetë tek të rinjtë, të cilat sipas tij nuk shohin perspektivë në Kosovë. “Jemi në një kohë shumë interesante, ku shumë prej të rinjve nuk shohin perspektivë në vendin tonë. Besoj që thelbi kryesor i të gjitha aktiviteteve tona gjatë kësaj jave do të jetë pikërisht ky. Do të ndajmë sa më shumë histori të suksesit te të rinjtë dhe do t’u tregojmë atyre që është jashtëzakonisht e mundur t’ia dalësh në Kosovë edhe në këto rrethana”, ka thënë ai.

E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Vlora Çitaku. Ajo pohoi se kompanitë e IT-ve në Kosovë janë rritur për 185%. “Më duhet të them se ICK-ja ka qenë njëra nga tregimet e shkëlqyera të suksesit që Kosova ka arritur të prodhojë prejse kemi shpallur pavarësinë. Është rinia jonë, shpirti sipërmarrës që do ta çojë dhe do ta shtyjë Kosovën përpara. Shumë pak njerëz dinë se rreth 60% e GDP-së vjen nga shërbimet dhe nga të talentuarit e industrive të teknologjisë, që po lulëzojnë në Kosovë. Vetëm në 10 vjetët e kaluara numri i kompanive që lidhen me IT është rritur për 185% dhe ky progres nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e të gjithë juve, veçanërisht të ICK-së dhe tregimet e shkëlqyera që ju arritët t’i bëni”, ka thënë ambasadorja Çitaku./ZERI/