Zveçani mbështet Listën Serbe për boshatisjen e të gjitha institucioneve të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Zveçani mbështet Listën Serbe për boshatisjen e të gjitha institucioneve të Kosovës

Aktuale December 07, 2019 - 08:02
Detajet
Image

Kuvendi i Zveçanit ka vendosur ta mbështesë propozimin e Listës Serbe që të gjithë serbët t’i lëshojnë institucionet e Kosovës nëse Gjykata e Apelit vërteton dënimin prej 2 vjetësh burg për Ivan Teodosijeviqin, kryetar paralel i Zveçanit, për shkak të deklaratave të tij nxitëse lidhur me masakrën e Reçakut, shkruan gazeta "Zëri".

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka siguruar serbët e veriut të Kosovës se të gjithë serbët në institucionet kosovare do të dorëhiqen nëse vërtetohet vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin me 2 vjet burg të Ivan Teodosijeviqit, kryetar paralel i Zveçanit, i cili derisa ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal kishte dhënë deklarata nxitëse lidhur me masakrën e Reçakut. Ai kishte thënë se “masakra e Reçakut është një gënjeshtër e fabrikuar nga terroristët e UÇK-së”. “Për agresionin në vendin tonë nga forcat e NATO-s ka qenë e ashtuquajtur katastrofa humanitare në hapësirat e Kosovës, trillimi i Reçakut, e pikërisht ata terroristë ‘siptari’ (shqiptarët) janë ata që e kanë trilluar, ata kanë kryer krimet në Kosovë, për të cilat askush deri më sot nuk është përgjigjur. Ata kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë serbët e mirë dhe të vyeshëm në vende të punës. Veprat e tyre të përgjakshme i kanë vazhduar gjatë agresionit të NATO-s, por edhe pas ardhjes së të ashtuquajturave misione paqësore në Kosovë”, pati deklaruar Teodosijeviqi, në marsin e këtij viti në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, derisa në prillin e këtij viti ndaj tij janë iniciuar hetimet.

Kjo deklaratë e tij nga Gjykata Themelore e Prishtinës është cilësuar si nxitje e urrejtjes dhe për këtë arsye e ka dënuar Todosijeviqin me 2 vjet burg.

I pari i Listës Serbe, i cili sa herë që institucionet e Kosovës marrin masa ndaj serbëve kërcënohet me largim nga institucionet kosovare, ka mbledhur parinë e partisë së tij dhe ka vendosur që serbët t’i lëshojnë të gjitha institucionet kosovare nëse Apeli vërteton vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin e Teodosijeviqit. Këtë vendim dhe propozim të Listës Serbe e ka mbështetur edhe Kuvendi i Zveçanit, në mbledhjen që ka mbajtur të premten. Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, asamblistët e Zveçanit kanë diskutuar edhe për aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka dënuar ish-ministrin Teodosijeviq me dy vjet burg për shkak “Të nxitjes së urrejtjes në baza nacionale, racore, fetare dhe për jotolerancë”. Asamblistët kanë miratuar disa konkluzione për këtë rast, me ç’rast kanë mbështetur paralajmërimin e Listës Serbe që të boshatisin të gjitha institucionet e Prishtinës nga niveli qendror deri tek ai lokal. Asamblistët e Kuvendit të Zveçanit kanë vlerësuar se me këtë aktvendim është krijuar hapësirë edhe diskriminim të mëtutjeshëm etnik. “Kuvendi i Zveçanit e gjykon aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj deputetit të Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, për ‘Nxitje të urrejtjes mbi baza etnike, racore e fetare’, sepse ky aktvendim tregon se jo vetëm serbët, por edhe banorët tjerë nuk kanë të drejtë në fjalën e lirë. Një aktvendim i tillë krijon hapësirë për diskriminim të mëtutjeshëm etnik. E drejta dhe drejtësia vlejnë për të gjithë, përveç për serbët në hapësirat e Kosovës. Kuvendi i Zveçanit mbështet propozimin e Listës Serbe që serbët t’i boshatisin të gjitha institucionet e Prishtinës nga niveli qendror deri tek ai lokal. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk është drejtësi, por është politikë dhe vendime të tilla nuk kontribuojnë në stabilizimin dhe në pajtimin, të cilin të gjithë e dëshirojmë”, janë disa nga konkluzionet që i ka miratuar Kuvendi i Zveçanit në mbledhjen e së premtes, që i kanë përcjellë të gjitha mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

“Kuvendi i Zveçanit nuk mbështet një aktvendim të tillë të Gjykatës së Prishtinës dhe vlerëson se me një vendim të tillë janë cenuar të drejtat elementare të secilit qytetar në Kosovë dhe për këtë arsye secili që flet diçka që nuk është, në fakt nuk është në pajtim me vullnetin politik të Prishtinës dhe për këtë do të përgjigjet në gjykatë. Ky aktvendim është precedent edhe për bashkësinë ndërkombëtare, sepse shprehja e lirë është e garantuar me të gjitha aktet ndërkombëtare. Kuvendi i Zveçanit porosit se ky aktgjykim nuk përkon me drejtësinë, por në fakt është aktgjykim politik”, ka thënë kryesuesja e Kuvendit të Zveçanit, Bilana Jarediq.

Ivan Teodosijeviq, kryetar i Organit të Përkohshëm të Zveçanit, komunë paralele e themeluar nga qeveria e Serbisë, në zgjedhjet e 6 tetorit ka fituar vota për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ai ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Ramush Haradinajt, por ishte shkarkuar pikërisht për shkak të deklaratave të tij nxitëse lidhur me masakrën e Reçakut./ZËRI