Ismajli: Lufta e LDK-së dhe e LVV-së për pushtet

Ismajli: Lufta e LDK-së dhe e LVV-së për pushtet

Aktuale December 07, 2019 - 12:14
Detajet

Pavarësisht se ishin zotuar se do ta nënshkruajnë koalicionin qeverisës menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ndasitë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila po kërkon pozitën e presidentit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk po pranon kushtëzime të tilla, dita-ditës po thellohen. Teksa negociatat mes dy partive mbeten të bllokuara, partitë nuk kanë caktuar ende datë për vazhdimin e tyre, shkruan gazeta "Zëri".

Profesori universitar Dashnim Ismajli e ka arsyetuar zvarritjen e marrëveshjes LDK – LVV, pasi koalicionet e partive me ideologji të kundërta kërkojnë kohë dhe se të dyja palët luftojnë për të marrë më shumë pushtet, me qëllim që t’i zbatojnë programet e tyre qeveritare në të ardhmen.

“Mendoj se procesi po shkon mbarë, d.m.th. është proces i cili kërkon kohë, ngaqë nuk është edhe e lehtë të arrihet marrëveshje në koalicion, kur kemi parasysh se kemi dy parti më të mëdha në vend me programatika të ndryshme dhe sigurisht se secila nga to kërkon që të shtyjë agjendën e saj përpara në marrëveshjen finale. Duhet pasur parasysh se e gjithë gara e partive politike bëhet për pushtet dhe përmes pushtetit ato krijojnë hapësirën e tyre që t’i arrijnë qëllimet dhe zbatimin e programit gjatë mandatit qeverisës, andaj secila nga to kërkon më shumë hapësirë në qeverinë e ardhshme”, ka thënë Ismajli për “Zërin”.

Sipas tij, të dyja partitë janë në përfundim të marrëveshjes dhe të ndarjes së përgjegjësive finale, proces i cili kërkon kohë.

“Besoj se zhvillimet e fundit janë treguesit realë se jemi në fazën përfundimtare të arritjes së një marrëveshjeje, bisedime të tilla kemi gjithandej globit. Është një proces, i cili aktivizon opinionin publik, mediet dhe është mirë kur kemi bisedime të tilla që palët bisedojnë edhe për detajet më të vogla në mandatin e ardhshëm qeverisës. Bisedime të vështira kemi pasur edhe në Gjermani nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ku dy partitë e mëdha kanë dialoguar me javë të tëra për ndarjen e rolit dhe të funksioneve qeverisëse, andaj unë nuk shoh diçka jashtë normales përpos një procesi, që palët duhet ta ndjekin me përgjegjësi për ta arritur synimin final”, është shprehur tutje ai./ZËRI