Ajri i ndotur në Kosovë alarmues, mjegulla po e rëndon gjendjen
Foto: Laura Hasani

Ajri i ndotur në Kosovë alarmues, mjegulla po e rëndon gjendjen

Aktuale January 17, 2020 - 08:09
Image

Kosova edhe më tej po ballafaqohet me nivelin e lartë të ajrit të ndotur. Kjo ndotje po ndikon negativisht në shëndetin e qytetarëve, të cilët po kërkojnë trajtim mjekësor shkaku i problemeve që po u paraqiten, shkruan gazeta "Zëri".

Ndotja e ajrit edhe gjatë këtij viti po vazhdon të jetë problematike në Kosovë. Niveli i lartë i ajrit të ndotur po rrezikon shëndetin e qytetarëve në vend. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është thënë se sipas shumë të dhënave ajri i ndotur rrit numrin e të sëmurëve e po ashtu shkurton jetën. Sipas këtij Instituti, shkaktarë të ndotjes janë termocentralet elektrike, automjetet e vjetërsuara, djegia e shtuar e karburanteve e faktorë të tjerë. “Efektet afatshkurta të ajërndotjes sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive te moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe të rritjes së shkallës së mortalitetit”, është thënë nga ky Institut gjatë ditës së djeshme.

Për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur IKSHPK-ja ka kërkuar nga qytetarët që të përdorin maskat mbrojtëse gjatë kohës kur dalin jashtë, që të qëndrojnë më shumë në mjedise me nivel më të ulët të ndotësve e të qëndrojnë në shtëpi. Sipas këtij Instituti, urgjentisht duhet të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet.

Ekspertët e Institutit Kombëtar kanë alarmuar se nëse nuk merren masat urgjente për përmirësimin e nivelit të ajrit do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe do të rritet vdekshmëria nga të gjitha shkaqet, e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.

Rritet numri i pacientëve nga ajri i ndotur

Me rritjen e nivelit të ajrit të ndotur është rritur edhe numri i pacientëve, të cilët kanë kërkuar trajtime për shkak të problemeve shëndetësore që u janë shfaqur. Pulmologu, Bahri Thaçi, ka thënë për “Zërin” se ajri i ndotur bashkë me sëmundjet virusale po shkaktojnë probleme te qytetarët. “Është rritur numri i pacientëve dukshëm, për shkak të ajrit të ndotur. Sëmundjet virusale dhe ajri i ndotur te një numër i madh i qytetarëve po shkaktojnë telashe. Fëmijët, personat në moshë të shtyrë e ata me sëmundje kronike, qoftë të mushkërive, qoftë të sëmundjeve të tjera rrezikohen më së shumti nga ajri i ndotur”, ka deklaruar ai.

Thaçi ka kërkuar nga qytetarët të mos qëndrojnë në ambiente të hapura ku është ajri i ndotur, në mënyrë që të mos u shfaqen probleme shëndetësore. “Qytetarët të mos dalin në ambiente të hapura ku është ajri jashtëzakonisht i ndotur, sidomos në Prishtinë e në rrethinë ku ka qarkullim shumë të madh të automjeteve. Pastaj të mos grumbullohen në vende ku gjenden shumë njerëz, për shkak se në mesin e tyre ka persona që janë me viroza dhe ato barten nga të folurit, teshtitja e kollitja, andaj edhe shumëfishohet numri i të prekurve me virus. Kur i shtohet edhe ajri shumë i ndotur, atëherë është shumë vështirë të qëndrojmë pa pasur probleme të mëdha në organet e frymëmarrjes”, ka shtuar ai, shkruan "Zëri".

Mjegulla po rëndon cilësinë e ajrit

Kryetari i Partisë Ekologjike, Arif Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se mjegulla që po mbizotëron në vend po e rrit problemin e ajërndotjes. Sipas tij, duke e thithur këtë ajër shëndeti i qytetarëve po rrezikohet. “Mjegulla, e cila mbretëron kohëve të fundit në tërë hapësirën e Kosovës, është si pasojë e kushteve klimatik në vend e në rajon. Në vendet me ndotje më të madhe mjegulla e shumëfishon problemin dhe ndotjen e ajrit. Aq më tepër kur të gjitha grimcat e elementet ndotëse tubohen dhe koncentrohen në mjegull, e cila paraqet probleme shtesë në cilësinë e ajrit, të cilin qytetarët tanë domosdo e thithin. Në këtë mënyrë qytetari i Kosovës në mënyrë direkte është i kërcënuar nga kjo gjendje”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se duhet të eliminohen ndotësit kryesorë të ajrit, si: përmirësimi i filtrave të termocentraleve, zvogëlimi i numrit të veturave që qarkullojnë në vend, kontrollimi i cilësisë së derivateve të importuara e rregullimi i transportit urban, shkruan tutje "Zëri".

Masat e marra, që s’rezultuan në përmirësimin e nivelit të ajrit

Për përmirësimin e ajrit të ndotur në vend nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ishte thënë më herët për gazetën se janë marrë disa veprime, si: hartimi i planit të aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit, rritja e nivelit të koordinimit me institucionet përgjegjëse për ajrin e shtimi i aktiviteteve për vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen nga ndotja e ajrit.

Masa kishin marrë edhe ministrat e kaluar të kësaj Ministrie.

Ish-ministrja e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka thënë për “Zërin” se nëse do të punohej për vendimet që ajo kishte marrë, atëherë do të kishte pasur rezultate edhe më të mëdha në përmirësimin e ajrit të ndotur. “Vendimet që kam marrë në kohën time kanë pasur rezultat dhe sikur të kishte pasur vullnet politik për t’i shtyrë përpara ato do të kishte rezultate edhe më të mëdha. Vendimi për ndërprerjen e përdorimit të thëngjillit në shkolla dhe në çerdhe mendoj se ka qenë një vendim shumë i rëndësishëm e do të doja të besoja që është duke u zbatuar”, ka thënë ajo.

Reshitaj ka thënë tutje se një nga planet e saj ka qenë edhe që qytetarëve t’u jepen alternativa për ngrohje, në mënyrë që të largohet edhe përdorimi i thëngjillit në shtëpi. “Ka qenë në planin e aktiviteteve në atë kohë që duke u dhënë alternativa qytetarëve për ngrohje të largohet edhe përdorimi i thëngjillit në shtëpi. Mendoj se kemi qenë në një rrugë shumë të mirë. Ka qenë një punë shumë e rëndësishme. Në momentin që ne e kishim pasur një studim si institucione kishim ditur ta bëjmë një strategji kombëtare për ta ndaluar ndotjen e ajrit”, ka shtuar ajo./ZËRI