Rritet numri i pacientëve nga ajri i ndotur

Rritet numri i pacientëve nga ajri i ndotur

Aktuale January 17, 2020 - 12:15

Me rritjen e nivelit të ajrit të ndotur është rritur edhe numri i pacientëve, të cilët kanë kërkuar trajtime për shkak të problemeve shëndetësore që u janë shfaqur, shkruan gazeta "Zëri".

Pulmologu, Bahri Thaçi, ka thënë për “Zërin” se ajri i ndotur bashkë me sëmundjet virusale po shkaktojnë probleme te qytetarët.

“Është rritur numri i pacientëve dukshëm, për shkak të ajrit të ndotur. Sëmundjet virusale dhe ajri i ndotur te një numër i madh i qytetarëve po shkaktojnë telashe. Fëmijët, personat në moshë të shtyrë e ata me sëmundje kronike, qoftë të mushkërive, qoftë të sëmundjeve të tjera rrezikohen më së shumti nga ajri i ndotur”, ka deklaruar ai, përcjell "Zëri".

Thaçi ka kërkuar nga qytetarët të mos qëndrojnë në ambiente të hapura ku është ajri i ndotur, në mënyrë që të mos u shfaqen probleme shëndetësore.

“Qytetarët të mos dalin në ambiente të hapura ku është ajri jashtëzakonisht i ndotur, sidomos në Prishtinë e në rrethinë ku ka qarkullim shumë të madh të automjeteve. Pastaj të mos grumbullohen në vende ku gjenden shumë njerëz, për shkak se në mesin e tyre ka persona që janë me viroza dhe ato barten nga të folurit, teshtitja e kollitja, andaj edhe shumëfishohet numri i të prekurve me virus. Kur i shtohet edhe ajri shumë i ndotur, atëherë është shumë vështirë të qëndrojmë pa pasur probleme të mëdha në organet e frymëmarrjes”, ka shtuar ai./ZËRI