Vasfije Krasniqi, e zhgënjyer se shtëpia ku u përdhunua nga serbët po rrënohet

Vasfije Krasniqi, e zhgënjyer se shtëpia ku u përdhunua nga serbët po rrënohet

Aktuale February 17, 2020 - 19:52

Shtëpia në të cilën Vasfije Krasniqi – Goodman ishte përdhunuar nga serbët gjatës kohës së luftës ka filluar të rrënohet. Pronari i parcelës, përveçqë nuk e ka lejuar ekipin ta xhironte vendin, ai madje ka thënë se në atë shtëpi nuk ka ndodhur asgjë.

Vasfije Krasniqi ka thënë për KTV’në që së bashku me familjarët kanë dashur që ajo shtëpi të kthehej në muze.

Në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës, monumenti New Born ka marrë pamje të re, duke i përkujtuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Por, pak më larg nga kryeqyteti, në Babimoc të Obiliqit shtëpia në të cilën u përdhunua Vasfije Krasniqi ka filluar të rrënohet nga pronari i ri.

Një person i cili është paraqitur si pronar i asaj parcele, përveçqë nuk e ka lejuar ekipin e televizionit të xhironte aty, ai e ka mohuar se shtëpia të cilën edhe ka filluar ta rrënonte është vendi që është keqtrajtuar Vasfija. Ai megjithatë ka pranuar se shtëpinë e ka blerë nga një serb.

E Vasfije Krasniqi – Goodman, duke treguar se është ndier keq për këtë, ka thënë se ka dashur që të blinte shtëpinë për ta rikthyer në muze, mirëpo nuk ia doli.

Krasniqi ka kërkuar përkrahje më të madhe nga institucionet, në përgjithësi për gratë e dhunuara gjatë luftës.

Udhëheqësja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se mosreagimi për rrënimin e shtëpisë paraqet neglizhencë të institucioneve.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, e para që foli publikisht për tmerrin e përjetuar, Vasfije Krasniqi – Goodman, ka kritikuar gjithashtu mosnderimin e askujt nga institucionet tek monumenti i heroinave në Prishtinë. Megjithatë, në orët e pasdites këtë monument e vizitoi kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Në prill të 2019-s, 20 vjet pas ngjarjes, Vasfije Krasniqi – Goodman kishte vizituar vendin ku ishte përdhunuar gjatë luftës, duke përkujtuar tmerrin e asaj kohe, dhe po nga ai vend u kishte bërë thirrje institucioneve që 14 prilli të mbetet si simbolikë, ku edhe do të përkujtoheshin 20 mijë personat e përdhunuar gjatë luftës në Kosovë.