IKSHPK i del në mbrojtje kryeministrit, thotë se Hoti njoftoi në kohë rekorde se është infektuar

IKSHPK i del në mbrojtje kryeministrit, thotë se Hoti njoftoi në kohë rekorde se është infektuar

Aktuale August 03, 2020 - 22:29

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) përmes një njoftimi në Facebook, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili u akuzua nga opozita se nuk iu ka përmbajtur rekomandimeve të IKSHPK-së për vetizolim pas testimit për koronavirus.

Instituti thotë se "gjithkush ka të drejtë të infektohet", ndërsa ka shtuar se Hoti e ka njoftuar opinionin në kohë rekorde se është i infektuar me COVID-19.

"Sot janë perhapur lajme të pa baza për mosrespektim të rekomandimeve të IKSHPK, ku të jep përshtypje se njerëz të caktuar, përfshirë edhe instancat e larta të shtetit, nuk paskan të drejtë të infektohen. Me respekt ju perkujtojmë që virusi nuk zgjedh as moshë, as racë, as gjini e as shtresa shoqërore. Virusi është kudo dhe nuk e zgjedh askend. Gjithkush ka të drejtë të infektohet".

“Ju themi me kompetencë të plotë se Kryeministri e ka lajmëruar opinionin në kohë rekorde posa e ka marr informatën për SARS CoV-2”, thuhet në njoftim.

"Ju lutemi të mos përhapen dezinformata kuturu", potencon IKSHPK.

Deputetja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, sot tha se kryeministri Hoti nuk i ka respektuar rregullat e IKSHKP-së si dhe se ka zhvilluar takime kur ka qenë i dyshuar se është i infektuar me COVID-19.

IKSHPK bën thirrje që të lejohet të bëjë punën e tij pa u penguar nga ata që ky institut i quan "gjithologë".

“Instituti Kombëtar apelon në vetëpërmbajtje sepse është shumë antihumane të merren njerëzit me gjëra personale të kujtdo qofshin në kohë pandemie dhe të lëndohet qenia humane dhe të hidhet gur e dru mbi Institutin Kombëtar nga njerëz që nuk kanë dëshmuar suksese dhe gjitholog që janë duke dëmtuar imazhin e mjekut”, thuhet në reagim.

Instituti thotë se rezultatet laboratorike, përkundër vështërsive, "dalin brenda 4 orë deri 24 orë e që paraqet punë të vetëmohueshme te ekipit te ekspertëve të Mikrobiologjisë që krahasohet me laboratoret më të avacuara botërore qoftë për intervalin kohor të shkurtë, qoftë për besueshmërinë e rezultateve".

"Këtë më së miri e dijnë pacientët e hospitalizuar të cilët po trajtohen me dinjitet nga profesionistët shëndetësorë", thekson IKSHPK. /Zëri