Shasha për mbledhjen e KQZ-së: Po tentohet që të shtrembërohet vullneti i qytetarëve nga partitë politike

Shasha për mbledhjen e KQZ-së: Po tentohet që të shtrembërohet vullneti i qytetarëve nga partitë politike

Aktuale January 22, 2021 - 16:31

Votimi për certifikimin e listave zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është shtyrë për të premten në orën 17 e 30, për shkak të paqartësive të krijuara nga propozimi i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, e cila i ka kërkuar KQZ-së që të certifikojë në pako partitë dhe kandidatët për deputetë.

Demush Shaha nga instituti “EPIK”, ka thënë se partitë politike janë duke tentuar ta shtremëbërojnë vullnetin e qytetarëve, siç e ka quajtur ai “përmes fiskulturave meskine politike”, ndërsa ka përmendur si shembull mledhjen e sotme të KQZ-së, transmeton Zeri.info.

“Qe një kohë kemi hyrë me një territor të rrezikshëm ku vullneti i qytetarëve po shtrembërohet përmes fiskulturave meskine politike. Mbledhja e sotme e KQZ-së ishte dëshmi e radhës. Sot administrata e KQZ-së ka dhënë një rekomandim të pavarur për certifikimin e listave të partive politike. A është i drejtë a jo, mbetet të provohet në kuadër të procedurave ligjore, por është pa diskutim rekomandim i tyre profesional dhe i pavarur, në përputhje me kuadrin ligjor për administrimin e zgjedhjeve”, ka shkruar Shaha.

Sipas Shashës, anëtarët politik të KQZ-së shpërfaqën tendencë të qartë për shtrembërimin e procesit zgjedhor dhe përmbysjen e pavarësisë së institucionit të KQZ-së.

“Me fjalë të tjera administrimi i zgjedhjeve nuk po i nënshtrohet ekspertizës institucionale, por fiskulturave politike”, ka shkruar ai.

Sipas tij, që nga zgjedhjet e 2019-es Kosova është futur në një rreth vicioz i cili çdo ditë e më shumë po largohet nga vullneti i qytetarëve drejt një territori të rrezikshëm për vendin tonë.

“Në çdo shoqëri normale, kur shteti sfidohet reagojnë “siguresat” e ndryshme institucionale të cilat kthejnë shoqërinë në normalitet. Pushtetet e ndryshme balancojnë njëra tjetrën, duke ushtruar pavarësinë e tyre. Ajo çfarë po shohim kohëve të fundit është që çdo “siguresë” e shtetit po dështon të kryej rolin e saj për të kthyer vendin në normalitet, në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Rezultati i zgjedhjeve 2019-es u manipulua. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese më shumë komplikuan situatat e krijuara, se sa që ofruan zgjidhje. KQZ-ja po kolapson si institucioni i pavarur nga presioni politik që po ushtrohet mbi të. Partitë politike po largohen edhe më shumë në pozicionime ekstreme.Asgjë e mirë nuk mund të del nga kjo”, ka shkruar Shsha./Zëri