Laboratori “EuroLab” vlerësohet nga instituti gjerman “Robert Koch” (Video/Foto)
Foto: Laura Hasani

Laboratori “EuroLab” vlerësohet nga instituti gjerman “Robert Koch” (Video/Foto)

Aktuale January 22, 2021 - 17:04

Ka disa ditë që në terminalin e vjetër të aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë është hapur laboratori “EuroLab” për testime PCR për COVID-19, ku udhëtarët mund të testohen dhe të marrin rezultatin në kohë të përshtatshme para se të udhëtojnë në destinacionin ku u kërkohet dëshmia se nuk janë të infektuar me koronavirus.

“EuroLab” sot është vizituar edhe nga përfaqësues të institutit prestigjioz gjerman “Robert Koch”, të cilët e kanë vlerësuar laboratorin, që përdor teknologjinë e fundit në testimin për COVID-19.

Ekspertja nga instituti “Robert Koch”, Sabrina Weis, pas vizitës përgëzoi udhëheqësit e këtij laboratori, për çka tha se ndihet e mahnitur nga puna që bëhet aty.

“Është vërtet mbresëlënës ndërtimi i këtij laboratori dhe puna që bëhet aty. Unë pata mundësinë të shoh nga brenda në detaje punën që bëhet aty dhe vërtet ndihem mirë që na është dhënë mundësia të vizitojmë këtë laborator”, tha Weisi.

Në anën tjetër, drejtori i laboratorit, Astrit Ajeti, vlerësoi lart vizitën dhe mirënjohjen që iu bë nga ekspertët e institutit gjerman në përmbushjen e standardeve më të larta ndërkombëtare gjatë punës që zbatohet në këtë laborator.

“Shpresoj se vlerësimi dhe mirënjohja e tyre për punën tonë do të jetë shtytje për ne që ta mbajmë këtë nivel të standardeve në shërbim të qytetarëve tanë”, tha Ajeti.

Laborantja dhe doktoresha, Gjyle Mulliqi-Osmani gjithashtu u shpreh mirënjohëse për përkrahjen që kanë marrë gjatë vizitës nga Instituti, duke e vlerësuar përkrahjen e tyre.

“Gjithmonë këto vizita janë shumë të mirëseardhura dhe paraqesin një hap më tutje, sidomos për një laborator që është në hapat e parë, është një mirënjohje dhe përkrahja e tillë është e domosdoshme, e cila do të ndikojë në avancimin e punës që do të shkojë më tej”, tha Mulliqi-Osmani.

Ajo shtoi se në ditët e para të punës së këtij laboratori kanë marrë vlerësime edhe nga qytetarët, pasi hapja e laboratorit afër aeroportit ua ka lehtësuar edhe më shumë qytetarëve udhëtimin.

“Laboratori ka dy javë që ka nisur punën. Nga ato informata që kemi, qytetarët janë të kënaqur me shërbimet tona, u kemi dalë në ndihmë, sepse nuk kanë nevojë të shëtisin nëpër shumë laboratorë, sidomos për ata që udhëtojnë, e dinë një vend të caktuar, jemi afër aeroportit dhe mund ta marrin rezultatin në kohën kur atyre u duhet dhe gjithë kjo e lehtëson mundësinë e tyre për udhëtim, por edhe kthimin nëpër shtëpitë e tyre”, shtoi ajo.

Qytetarët që testohen në “EuroLab” rezultatin e marrin brenda ditës, ndërsa çmimi për testin PCR është 35 euro. /Zëri

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image