Sami Lushtaku flet për humbjen e PDK-së, tregon se çfarë do të bëjnë për punën e kryetarit

Sami Lushtaku flet për humbjen e PDK-së, tregon se çfarë do të bëjnë për punën e kryetarit

Aktuale March 06, 2021 - 13:59

Lidhja Demokratike e Kosovës është vënë menjëherë në lëvizje pas debalkit të 14 shkurtit. Kreu i kësaj partie ka dhënë dorëheqje, derisa pritet që pas pak ditësh të dalin strukturat e reja. Megjithatë humbja në zgjedhjet e 14 shkurtit me mbi 30 mijë vota më pak se në 2019-ën duket se nuk po e shqetëson Partinë Demokratike të Kosovës. Një prej figurave kyçe të kësaj partie, Sami Lushtaku, thotë se nuk e ka pritur një rezultat të tillë, derisa ka theksuar nevojën për reforma brenda partisë.

Zgjedhjet e 14 shkurtit kanë nxjerrë rezultate befasuese për fituesin dhe humbësit e zgjedhjeve. Secila parti thoshte se do të dalë e para, derisa pak njohës të zhvillimeve politike kanë pritur që Lëvizja Vetëvendosje do t’i mund ata me afër 50% të votave të përgjithshme.

Një gjë të tillë nuk e pritur as kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Në një prononcim për Gazetën Express, Lushtaku pohoi se nuk e ka pritur as rezultatin e PDK-së, por as të VV-së si parti fituese.

“Të jem i sinqertë jo nuk e kam pritur. Nuk e kam pritur as rezultatin e Partisë Demokratike të Kosovës, por se kam pritur as rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosjes”, ka thënë ai.

Sipas tij as VV-ja si parti, por as lideri i saj Albin Kurti, për 20 vite nuk kanë bërë asgjë për Kosovën.

Në ndërkohë, ai theksoi se  PDK-ja gjatë këtyre dy dekadave ka bërë shumë për Kosovën.

“Kanë qenë dy raste që jemi munduar që t’i shpjegojmë para qytetarëve. Puna dhe angazhimi i PDK’së që 20 vite dhe mos puna e Albin Kurtit, Vetëvendosjes, që 20 vite. për tërë këto vite unë nuk e di se cila është një punë e mirë që e ka bërë VV-ja dhe Albin Kurti. Prandaj nuk e kam pritur rezultatin”, ka thënë ai.

E për rezultatin që ka arritur PDK’ja në këto zgjedhje, Lushtaku tha se duhen reforma brenda partiake.

“Reforma PDK-ja ka bërë në vazhdimësi dhe unë mendoj që si subjekt politik ka nevojë për reforma, kështu që reformat janë në vazhdimësi në PDK. Nuk i komentojë reformat në parti të tjera”, ka deklaruar Lushtaku.

Ndërsa sa i përket 4 mijë e 132 votave që i mori Lëvizja Vetëvendosje në bastionin e PDK’së në Skenderaj, Lushtaku tha se ato vota partia e Albin Kurtit ua ka marr AAK-së e Nismas.

“Unë po flas për Skenderaj, opozita gjithmonë i ka pasur këto vota. Vetëvendosje i ka marr votat AAK’së dhe Nismas, por jo PDK-së”, ka thënë ai.

Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj u deklarua edhe për të parin e partisë. Ai tha se janë duke pritur rikthimin e Kadri Veselit nga Haga për të vendosur për parinë e partisë.

“Kjo varet tash nga kryesia e partisë dhe unë besoj fuqishëm që fillimisht do të kthehet lideri i PDK’së nga Haga. nëse jo atëherë me siguri që ne do ta marrim një vendim konform situatave që i kemi brenda Kosovës”, ka thënë ai.

Pas shpalljes së rezultateve të përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka dal fituese me 438 mijë e 334 vota ose me 49.95% të votave të përgjithshme.

E dyta u rendit PDK-ja me 148 mijë e 296 vota, ose me 16.90% të votave të përgjithshme.

E treta doli LDK-ja me 110 mijë e 978 vota ose 12.64% të votave të përgjithshme, e pasuar nga AAK-ja me 62 mijë e 111 vota, ose 7.07% të votave të përgjithshme.

Pas këtyre rezultateve LDK-ja ka filluar reformat e brendshme në parti. Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa ka ofruar dorëheqje, teksa me 14 mars pritet që të mbahet Kuvendi zgjedhor për të parin e LDK-së.

Edhe në AAK ka pasur dorëheqje nga strukturat e partisë, pas rezultatit të dobët zgjedhor.