Prokuroria nis hetimet për “Zbulimin e fshehtësisë zyrtare” rreth lajmit se ministri Vitia nuk e kishte nënshkruar kontratën me Pfizer-in

Prokuroria nis hetimet për “Zbulimin e fshehtësisë zyrtare” rreth lajmit se ministri Vitia nuk e kishte nënshkruar kontratën me Pfizer-in

Aktuale April 17, 2021 - 12:17

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia

Në atë konferencë, Vitia tha se lajmi i publikuar në "Insajderi" se ai nuk e ka nënshkruar kontratën me Pfizer-in, duke rrezikuar kështu shëndetin e qytetarëve, "është i pavërtetë dhe dashakeq".

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga Prokuroria kanë thënë se do të do të veprojnë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve.

“Prokurori i Shtetit, do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore, prandaj ju sigurojmë se kushdo që tenton ta dëmtojë një proces kaq delikat dhe konfidencial, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës./Zëri