Bytyçi: Ftoj Prokurorinë që të mos bëhen instrument i dhunës dhe frikësimit të urdhrave të Kurtit

Bytyçi: Ftoj Prokurorinë që të mos bëhen instrument i dhunës dhe frikësimit të urdhrave të Kurtit

Aktuale April 17, 2021 - 13:33

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi e ka quajtur sulm direkt ndaj demokracisë, njoftimin nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se ka hapur hetim për “veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare”.

Sipas tij, ky vendim i Prokurorisë “vije me urdhrin politik të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryeministrit Albin Kurti”.

“Njoftimi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se ka hapur hetim për “veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare”, me urdhrin politik të Arben Vitisë dhe Albin Kurtit, është sulm direkt ndaj demokracisë sonë liberale dhe vlerave të saj”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Ai po ashtu thotë se blerja e vaksinave anti-COVID nuk mund të jetë sekret, teksa ka potencuar se blerja e tyre duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kurtit.

“Ligji për kategorizimin e një dokumenti sekret është rregulluar shumë qartë, blerja e vaksinave asnjëherë e sidomos në rrethana të pandemisë, nuk është dhe nuk mund të jetë sekret. Përkundrazi, për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalon Kosova, blerja e vaksinave është prioritet mbi çdo prioritet tjetër dhe transparenca për sigurimin dhe administrimin e tyre është gjëja më bazike që do të duhet të bëj qeveria e Albin Kurtit”, tha Bytyçi.

Ndërkaq, Bytyçi ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të hapë hetim ndaj Vitisë për rrezikimin e jetës së qytetarëve në vonesa të qëllimshme të sigurimit të vaksinës.

Ndërsa krejt në fund, zëdhënësi i PDK-së ka ftuar Prokurorinë që të mos bëhet siç thotë ai “instrument i dhunës dhe frikësimit me urdhrat e Albin Kurtit”.

“Prokuroria e Shtetit në vend se të hap hetimet ndaj Arben Vitisë për rrezikimin e jetëve të qytetarëve për shkak të vonesave të qëllimshme për të siguruar vaksinat, ajo e bëri krejt të kundërtën. Në fund, ftoj Prokurorinë e Shtetit në çdo nivel që mos të bëhen instrument i dhunës dhe frikësimit me urdhrat politik të Albin Kurtit, por ta bëjnë punën e tyre të pavarur larg çdo ndikimi!”, ka përfunduar Bytyçi.

Shkas për këtë reagim, Bytyçi mori nga konferenca e mbrëmshme e ministrit Vitia, ku akuzoi mediat për publikimin e një lajmi ku thuhej se ai nuk e kishte nënshkruar kontratën me prodhuesin e vaksinave “Pfizer” brenda afatit të paraparë. Ai e demantoi këtë lajm, ndonëse nuk ofroi asnjë dëshmi për ta vërtetuar të kundërtën, dhe kërkoi hetime për këtë rast. /Zëri