Sveçla: Janë arrestuar dy persona për zjarrvënie të qëllimshme, po hetohen edhe disa raste të tjera

Sveçla: Janë arrestuar dy persona për zjarrvënie të qëllimshme, po hetohen edhe disa raste të tjera

Aktuale August 03, 2021 - 09:56

Që nga e premtja zjarret kanë kapluar disa lokacione në komuna të ndryshme të Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se është aktivizuar menjëherë Qendra Operative, e cila aktualisht është duke koordinuar të gjitha veprimet e ekipeve reaguese në terren.

“Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të mbështetur edhe nga KFOR-i, janë duke punuar me kapacitete të plota për të shuar vatrat e zjarrit, duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione.

Vetëm dje gjatë ditës kemi pasur vatra aktive të zjarrit në këto komuna:

• Suharekë: Bukosh, Krushicë, Gjinovc, Reqan, Shirokë, Dubravë dhe Vraniq

• Gjakovës: Nec dhe Babaj të Bokës

• Prizren: Bjeshkët e Oshllakut

• Pejë: Shtupeq

• Malishevë: Kravasari

• Artanë: Parallovë

• Mitrovicë e Veriut: Kushtovë e Vllahisë

• Zveçan: Rudinë

• Zubin Potok: Bube

• Fushë Kosovë: Kozmin”, ka shkruar Sveçla në rrjetet sociale.

Ai më tej ka thënë se përkundër temperaturave të larta, ka raste ku zjarret janë shkaktuar nga persona të pandërgjegjshëm, ku policia ka arrestuar dy të dyshuar dhe po heton raste tjera të dyshimta.

“Është shumë me rëndësi të theksoj se përkundër temperaturave të larta ne kemi hasur raste të zjarrvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste të tjera të dyshimta”, ka shkruar Sveçla.

Më tej ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të kenë kujdes maksimal, që në asnjë rast dhe rrethanë të mos ndezin zjarre, duke paralajmëruar se institucionet do të jenë pa kompromis ndaj sjelljeve të tyre, të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm. /Zëri