Deliu: Lajm i mirë përsëritja e konkursit për anëtarë të KPM-së

Deliu: Lajm i mirë përsëritja e konkursit për anëtarë të KPM-së

Aktuale August 03, 2021 - 10:14

Kuvendi i Kosovës të hënën nuk ka arritur t’i zgjedhë anëtarët e rinj të Komisioni të Pavarur për Media.

Si pasojë konkursi për anëtarë të KPM-së do të përsëritet, ndërsa ky proces ishte kritikuar fillimisht nga shoqëria civile, por edhe nga opozita.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e ka quajtur lajm të mirë përsëritjen e konkursit, ndërsa ka thënë se kjo është fitore e betejës për transparencë dhe llogaridhënie, transmeton Zeri.info.

“Edhe një fitore e betejës për transparencë dhe llogaridhënie. Lajm shumë i mirë që i gjithë procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media do të përsëritet. Që nga fillimi kemi shprehur rezervën tonë ndaj një procesi tërësisht të mbyllur, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe pa media”, ka shkruar Deliu.

Ajo shtoi se rihapja e konkursit dhe rikthimi në pikën zero i këtij procesi inkurajon të gjithë për një proces të drejtë e demokratik.

Kujtojmë se ditë më parë anëtarja e shoqërisë civile, Flutura Kusari, ka deklaruar se përzgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media është bërë në procedurë krejtësisht sekrete.

Po ashtu kundër këtyre emërimeve ishte edhe Ricardo Gutierreze nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EJF), që ishte shprehur i shqetësuar në lidhje me emërimin e anëtarëve të KPM-së. /Zëri